HomeSociale

Basha sulmon Mogherinin nga Pogradeci

Lulzim Basha nuk e kurseu gjuhën e ashpër për përfaqësuesen më të lartë të politikës së jashtme të BE-së Federika Mogherini , e cila krah Edi Ramës në Tiranë u shpreh optimiste për hapjen e negociatave.

“ Me Ramën nuk ka zhvillim as përparim, miqtë e tij që vijnë për qokat e fundit para se tu mbarojë mandati se shpëtojnë dot, sepse është Edi Rama problemi kryesor për hapjen e negociatave sepse është i lidhur me krimin. Prej 6 vitesh na mbyllet dera e Europës. Pa lirinë e votës nuk ka asnjë liri tjetër, nuk ka mundësi, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka Europë. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen, pak rëndësi ka në çfarë gjuhe e thotë, gënjen”, tha Basha.

Të rinjve në Pogradec kryedemokrati u shfaqi jo vetëm anën e tij “luftarake”, por edhe romantike.
“ Qyteti i dashurisë ky. Nuk e them kot. T’ju them dhe diçka personale se sot kam 15-vjetorin e martesës. Por lidhjen me Aurelën e kam pagëzuar këtu në Pogradec, këtu tek hotel Turizmi”, tha kryedemokrati.

Shumë shpejt kryedemokrati la mënjanë kujtimet, për t’iu rikthyer akuzave për kundërshtarin politik duke kërkuar ndihmën e pogradecarëve të rinj për rrëzimin e Edi Ramës .

“Të gjithë bashkë të bëhemi më shumë me 11 maj ditën e shtunë, për Shqipërinë europiane dhe të ëndrrave tuaja.”, u shpreh ai.
Në Pogradec, krydemokrati i njohu te rinjtë e këtij qyteti me programin e Partisë Demokratike për arsimin e lartë , i cili parashikon dyfishim të buxhetit dhe lehtësira për studentët me vështirësi ekonomike.


TË NGJASHME