HomeSociale

Basha takim me Shoqatën e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhviluar një takim me Përfaqësues të Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.

Këta të fundit ndanë shqetësimet e tyre për ecurinë e mëtejshme të aktivitetit pas pandemisë Covid 19.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë shprehën shqetësimin e thellë për uljen e ndjeshme të prodhimit dhe të eksporteve, por edhe për humbjen e vendeve të punës, faktorë që kanë prekur pjesën dërrmuese të bizneseve prodhuese.

Ata shprehen se paketat ekonomike të qeverisë nuk e kanë ndihmuar aspak këtë sektor që, çdo ditë e më shumë, po varfërohet dhe rrënohet nga pandemia e krizës ekonomike.

Ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha tha: Kam parë dhe takuar vetë njerëz që nuk kanë marrë asnjë lek nga qeveria, biznese që nuk kanë përfituar asnjë ndihmë dhe po mbyllen dita-ditës. Qeveria e keqmenaxhoi krizën e shkaktuar nga pandemia në dëm të shqiptarëve dhe në favor të miqve të saj. 41.5 milionë euro ka dhënë Edi Rama për 3 milionë shqiptarë, ku janë qindra e mijëra të papunë dhe biznese gati për t’u mbyllur, ndërkohë që, po kaq, i ka dhënë qeveria klientëve të saj për 2 km rrugë tek Unaza e Re.

Kryetari Basha i konsideroi të drejta shqetësimet e ngritura prej tyre dhe i siguroi ata se PD do të jetë në krah të biznesit duke mbështetur kërkesat e tyre legjitime, si rruga e vetme për të shmangur katastrofën ekonomike dhe humbjen e dhjetëra mijëra vende pune.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME