HomePolitikë

BE bën thirrje për bisedime paqësore në Lindjen e Mesme

Bashkimi Evropian (BE) vlerëson se multilateralizmi dhe bisedimet paqësore duhet të mbizotërojnë për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borell, përmes një kumtese ka theksuar nevojën e zgjidhjes politike, duke theksuar se përgjigjet ushtarake mund vetëm të çojnë në më shumë dhunë dhe vuajtje njerëzore. Borrell ka shprehur keqardhjen e tij të thellë për vendimin e Iranit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Ai theksoi se zbatimi i marrëveshjes bërthamore të Iranit tani ishte më e rëndësishme se kurrë për sigurinë rajonale dhe globale, si dhe konfirmoi se BE do të vazhdojë të mbështetet në procesin e verifikimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Në ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për siguri dhe politikë të jashtme, Peter Stano, të hënën konfirmoi se ftesa e BE-së për Ministrin e Jashtëm të Iranit Javad Zarif në Bruksel është ende e vlefshme.

Borrell zhvilloi një bisedë telefonike me Zarifin gjatë fundjavës dhe e ftoi atë në Bruksel për të diskutuar deeskalimin e tensioneve në Lindjen e Mesme. Sipas zëdhënësit, BE shpreson se Zarif do të pranojë ftesën në ditët në vijim. Stano gjithashtu tha se dy palët janë të interesuara për të vazhduar angazhimin e ndërsjellë.//AA


TË NGJASHME