HomeRajon

Befason deputetja greke: Të rikthehet pakti detar

Deputetja greke, njëherësh motra e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Dora Bakojanis, ka bërë një deklaratë befasuese, teksa ka kërkuar të rikthehet marrëveshja detare e bërë mes dy vendeve fqinje në vitin 2009, kur qeveria shqiptare drejtohej nga Sali Berisha.

Si një nga drejtueset e partisë në pushtet “Demokracia e Re’, Bakojanis ka theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë janë përkeqësuar dukshëm vitet e fundit.

“Situata me Shqipërinë është përkeqësuar dukshëm vitet e fundit. Nuk krahasohet niveli i marrëdhënieve aktuale me Shqipërinë me ato të periudhës qeverisëse të “Demokracisë së Re” dhe Kostas Karamanlis (2004-2009), kur nënshkruam marrëveshjen detare”, ndërsa ka shtuar se “Sipas mendimit tim, marrëveshja e atëhershme nuk duhet braktisur.

Qeveria e mëparshme e anashkaloi, në kërkim të një formule të re. Sidoqoftë, marrëveshja e 2009-ës duhet të përbëjë bazë për çdo negociatë të re, sidomos tani, me pretendimet e palës shqiptare ndaj qeverisë greke. Meqenëse shanset nuk shfaqen shpesh në politikën e jashtme, tani që Shqipëria ka nevojë për ne, diskutimet e qarta do sjellin dhe rezultate të prekshme”.

Marrëveshja e detit në vitin 2009 me Greqinë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në prill 2010, duke u konsideruar si antikushtetuese. Kjo marrëveshje u firmos në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike, kur kryeministri ishte Sali Berisha dhe ministër i Jashtë, Lulzim Basha.


TË NGJASHME