HomePolitikë

BERZH do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE me këto hapa konkretë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka nënshkruar sot një Memorandum me shtetin shqiptar në kuadër të takimit të saj të përvitshëm për të mbështetur vendin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Dokumenti u nënshkrua gjatë një ceremonie virtuale nga Presidenti në Detyrë i BERZH, Jurgen Rigterink dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në prezencë të Ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.

Presidenti në Detyrë i BERZH, Jurgen Rigterink e mirëpriti marrëveshjen “Ndihemi të inkurajuar nga hapat që Shqipëria po ndërmerr në rrugën drejt integrimit në BE dhe jemi të lumtur t’i mbështesim këto përpjekje të rëndësishme përmes kontributit tonë. Në këto kohë të vështira është më e rëndësishme se kurrë të bashkojmë forcat jo vetëm për tu përballur me sfidat aktuale por edhe për të realizuar qëllimet afatgjata të vendit. ”

Në këtë Memorandum, përcaktohet kombinimi i angazhimit në politika, asistencës teknike dhe investimeve për të mbështetur vendin në procesin drejt përafrimit me BE.

Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe BERZH do të përqëndrohet në tre fusha: konkurueshmëria e sektorit privat dhe rritja gjithëpërfshirëse; infrastruktura e qëndrueshme dhe tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër si dhe përmirësimi i klimës së investimeve dhe qeverisjes së mirë.

Memorandumi përfshin një listë konkrete aktivitetesh afatshkurtra që do të diskutohen dhe përtërihen cdo vit duke ndjekur njëkohësisht ecurinë në implementimin e tyre dhe dakordësimin e palëve për angazhim në politika të reja, asistencë teknike dhe prioritete të investimeve.

Deri më sot, BERZH ka investuar mbi €1.4 miliardë në 100 projekte në vend. Strategjia e Bankës për Shqipërinë përqëndrohet në qeverisjen e mirë, konkurueshmërinë e sektorit privat dhe përfshirjen, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe tranzicionin drejt minimizimit të emetimeve të karbonit.


TË NGJASHME