HomePolitikë

Betimi te noteri/ Zv.kryeministri komenton veprimin e Arta Vorpsit

Pas mbarimit të seancës, jashtë dyerve të parlamentit, Zv.kryeministri Erion Braçe i është përgjigjur interesit të mediave për veprimin e Arta Vorpsit, e cila një ditë më parë ka kryer betimin e saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në një zyrë noteriale.

Për Braçen noteria funksionon mbi bazën e ligjit dhe nuk është parukieri.

“Noteria funksionon mbi bazë të një ligji dhe në asnjë rast në botë nuk është parukieri. Kushtetutën nuk e zëvendëson dot kurrkush”, theksoi ai.

Gazetarja: Ka të drejtë të betohet tek një noterë anëtarja e Gjykatës Kushtetuese. Është e ligjshme?

Braçe: Kam përshtypjen që ju mediat i jeni referuar dhe e keni intervistuar kryetaren e dhomës së noterëve, e cila i është referuar një procesi që ajo e konsideron ligjor. Noteria funksionon mbi bazë të një ligji dhe në asnjë rast në botë nuk është parukieri. Kushtetutën nuk e zëvendëson dot kurrkush. Kushtetuta ka thënë që i katërti nuk bëhet dot i dyti, ndaj kur flasim për kushtetutë i referohemi në tërësi. Sa kohë që ka ndodhur një akt që është antikushtetues qëndrojmë tek ai akt që e bën të pestin – të parin, të katërtin – të dytin dhe kështu me radhë.

Gjatë seancës së sotme, maxhoranca dhe opozita e re kanë votuar me shumicë votash rezolutën  “shmangia e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e gjykatës kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.


TË NGJASHME