HomeLajme

Bie çmimi për prodhuesit me përparësi të energjisë, në 2019, zbret në 8.45 lekë/kWh

Hidrocentralet me kapacitet të instaluar deri në 15 MW do të shesin më lirë energjinë që do të prodhojnë në vitin 2019 në raport me vitin e kaluar. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar çmimin final duke iu referuar metodologjisë së miratuar më herët nga Këshilli i Ministrave. Diferenca e çmimit është relativisht e ulët dhe rezultante e zhvillimeve në bursë, duke qenë se bazë për llogaritjen e çmimit me të cilën Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) u ble energjinë prodhuesve me përparësi është bursa hungareze.

Konkretisht Enti Rregullator ka vendosur që çdo kilovat/orë energji e prodhuar nga këto hidrocentrale do të blihet me 8.45 lekë ndërkohë që një vit më parë, pra gjatë 2018 u ble me 8.56 lekë/kWh.

“Çmimi vjetor i blerjes së energjisë elektrike, që do t’u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi për vitin 2019 të jetë 8.4582 Lekë/kWh. ERE do të korrigjojë llogaritjet e bëra në rast se kursi i këmbimit Lekë/EUR që do të publikohet në Raportin Vjetor 2018 të Bankës së Shqipërisë, (gjatë muajve në vazhdim) ndryshon nga çmimi i llogaritur deri tani” thuhet në vendimin e marrë pak ditë më parë nga ERE.

Metodologjia që përdoret për të llogaritur çmimin

Në nëntor të vitit 2017 qeveria përmes një vendimi miratoi metodologjinë që do përdoret çdo vit për të llogaritur çmimin me të cilin blihet energjia nga prodhuesit me përparësi. Metodologjia për llogaritjen e këtij çmimi është: “Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kWh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX/DAM) i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kWh X bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.3 X normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit.

Duke pasur parasysh këtë metodologji, ERE i është referuar raportit vjetor të Bursës së Energjisë së Hungarisë (HUPX) ku çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX/DAM) i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) për vitin 2018 rezultonvlerën 51Euro/MWh.  Me normë mesatare të shkëmbimit Euro/Lekë të vitit të fundit kuptohet kursi mesatar vjetor i këmbimit Euro/Lekë, i publikuar nga Banka e Shqipërisë për vitin 2018. “Nga të dhënat e deritanishme të publikuara nga Banka e Shqipërisë mbi kursin e këmbimit Lekë/EUR, për çdo ditë të vitit 2018 rezulton se kursi mesatar i këmbimit për vitin 2018 rezulton në vlerën 127.575 Lekë/EUR” vlerëson ERE e cila në finale duke bërë përllogaritjen sipas elementëve ka nxjerrë çmimin 8.45 lekë/kWh.

Prodhuesit me përparësi të energjisë

Prodhues me përparësi i energjisë elektrike sipas përcaktimit ligjor  është çdo prodhues që prodhon energji elektrike nga burime të energjisë së rinovueshme dhe në rastin e energjisë hidrike me një kapacitet të instaluar deri në 15 MW për një njësi gjeneruese dhe që përfitojnë nga skemat mbështetëse, në përputhje me parashikimet e ligjit. Pak vite më parë kur u miratua ndryshimi i metodologjisë për vendosjen e çmimit me të cilin OSHEE (dikur KESH ) blinte energjinë elektrike, kjo nismë hasi rezistencë duke nënvizuar se prekte interesat e tyre ekonomike dhe planet e biznesit.

Në vitin 2018 prodhuesit e energjisë dhe konceisonarët të lidhur në rrjetin e OSHEE prodhuan deri në muajin gusht një total prej 568,635 kWh energji. Sakaq prodhuesit dhe koncesionarët e lidhur në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit deri në gusht prodhuan 602,711 kWh. Viti 2018 u përkufizua nga një situatë disi më e mirë e prodhimit sesa viti paraardhës por përgjatë muajve të fundit prodhimi ra ndjeshëm ndërkohë që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike konfirmoi se sasia e blerë nga Prodhuesit me Përparësi ishte minimale.

Metodologjia për çmimin

Çmimi vjetor i blerjes (lekë/kWh) = Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX/DAM) i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kWh X bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.3 X normën mesatare të këmbimit në euro/lekë për vitin e fundit./monitor.al


TË NGJASHME