HomeLajmi i Fundit

Bien shkëmbinj e gurë, bllokohet rruga Krujë-Sarisalltik

Për shkak të shirave të dendur, është bllokuar rruga turistike Krujë-Sarisalltik, ku gurë të mëdhenj kanë rrëshqitur dhe kanë rënë në rrugë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.

Ndërkohë, raportohet se reshjet masive kanë shkaktuar probleme në të gjitha rrugët e Krujës, në të cilat ka pasur rrëshqitje gurësh dhe inertesh.

Por, më problematike gjendja është në aksin Krujë-Sarisalltik, pasi një sasi e madhe shkëmbinjsh dhe gurësh me përmasa disa metër kubesh dhe me peshë disa tonë janë shkëputur nga mali, duke rënë mbi këtë aks, të cilin e kanë bërë të pakalueshëm.

Janë disa biznese që operojnë në malin e Krujës, në të cilin ndodhet edhe vendi i shenjtë i bektashinjve, Sarisalltiku. Fatmirësisht, gurët kanë rënë në një orar që nuk ka pasur lëvizje, duke mos shkaktuar kështu dëme në njerëz.

Aksi vijon të jetë i pakalueshëm, ndërsa punonjës të Bashkisë së Krujës vijojnë prej orëve të para të mëngjesit punën për të hequr gurët e rënë, në mënyrë që të nisë lëvizja e mjeteve.

Ndonëse ky aks turistik është në varësi të ARRSH, deri më tani asnjë përfaqësues i këtij institucioni nuk ka shkuar në vendngjarje për të zhbllokuar rrugën.