HomeSociale

Bilanci i frikshëm/ Nëntë të plagosur në tri aksidente të rënda, në Elbasan e Korçë

Nëntë të plagosur është bilanci i tri aksidenteve të ndodhura gjatë ditës së djeshme në Elbasan dhe Korçë. Fillimisht, tre persona u plagosën si pasojë e një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke u përplasur me një bordurë në këtë aks rrugor.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy autoambulanca, të cilat kanë transportuar në spital tre të aksidentuarit. Sipas Policisë, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, shtetasi K.V., banues në Pogradec, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga dhe për pasojë është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Nga ky aksident është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerë, të cilët ishin në këtë mjet dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Pa kaluar një orë, një tjetër aksident ndodhi në aksin Elbasan-Peqin. Një automjet u përplas me bordurën anë rrugës.

Ngjarja ndodhi në afërsi të fshatit Papër. Si pasojë e këtij aksidenti mbeti i bllokuar brenda mjetit drejtuesi. Për të bërë të mundur nxjerrjen e tij drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar Policia dhe Zjarrfikësja, të cilët, pasi e kanë nxjerrë, e kanë transportuar më ambulancë drejt spitalit. Dyshohet se shkak i këtij aksidenti ka qenë lagështia në rrugë.

“Në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Papër, shtetasi A.H., rreth 21 vjeç, banues në Elbasan, duke drejtuar mjetin ‘Benz’, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga dhe është përplasur me mbrojtësen metalike anësore të rrugës. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, shtetasi G.B., rreth 26 vjeç, banues në Elbasan”, bëhet e ditur nga Policia.

Ndërkohë, në një aksident të ndodhur në rrugën KorçëBilisht, mbetën të plagosur katër persona nga përplasja e dy mjeteve. U desh ndërhyrja e dy mjeteve të zjarrfikëses për të nxjerrë të lënduarit nga makinat, të cilët morën plagë të rënda nga aksidenti.

Të plagosurit u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Bilishtit, ndërsa shkak për aksidentin dyshohet se është bërë shpejtësia dhe lagështia në rrugë/panorama.al


TË NGJASHME