HomeLifestyle

Blogeri u punon rreng mediave rumune, japin të gjitha lajmin e rremë

Një bloger i njohur u punoi një rreng mediave rumune duke i bërë të raportonin një lajm të rremë në lidhje me një aksident automobilistik.

Andrei ?elaru, i njohur si “Selly”, ka miliona ndjekës në rrjete shoqërore dhe është një nga personazhet e Youtube-it më të njohur në Rumani.

Ai manipuloi një makinë që të dukej sikur ishte përplasur në një aksident, dhe ua dërgoi mediave rumune.

19-vjeçari tha se me këtë donte të tregonte se sa lehtë përhapen lajmet e rreme nga mediat.

“Njerëzit i besojnë të gjitha gjërat që shohin në TV. Eksperimenti im është për t’i treguar gjithë vendit sesi një lajm i rremë mund të bëhet lajm në Rumani. Unë manipulova një video të bërë në kompjuter, dhe ua dërgova programeve më të ndjekura në Rumani. Brenda pak orësh u raportua nga të gjitha lajmet e tjera”, tha ai.

Vetëm pak prej mediave kërkuan falje pas rrengut. Libertatea.ro, një nga faqet kryesore të lajmeve në Rumani, tha se do të përmirësonte mënyrën e verifikimit të informacionit, do të shtonte numrin e gazetarëve si dhe stafin që merrej me verifikimin e lajmit.

Gazetarja që e botoi lajmin kërkoi falje dhe tha se ishte gabimi i saj prej fillestareje.

“Nuk e verifikova lajmin me Sellyn. Bëra një gabim dhe më vjen keq. Më vjen keq që kolegët e mi morën fyerje dhe ofendime për shkak të asaj që ndodhi. Janë gazetarë të aftë e punëtorë, që ndonjëherë duhet të angazhohen me ritme shumë të mundimshme, dhe nuk e meritojnë këtë”, tha ajo.

Selly u bëri thirrje ndjekësve të tij të mos besojnë çdo gjë që shikojnë në TV.

“Kur arrita ta realizoj unë një lajm të rremë, ta dërgoja me llogari të rreme e-mail-i, dhe e gjitha kjo me një kosto prej 100 eurosh, imagjinoni se ç’mund të bëjnë njerëzit me shumë para, pushtet dhe ndikim në institucionet shtetërore”, tha ai në video.


TË NGJASHME