HomePolitikë

Borchardt ‘non grata’, zbardhet takimi mes Metës dhe zyrtarëve të OSBE

Meta-me-OSBE

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur sot në një takim një delegacion të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Roberto Montella.

Kreu i Shtetit falënderoi Asamblenë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen që ka dhënë ndër vite për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike të vendit, duke kërkuar njëkohësisht vëmendje dhe angazhim edhe në të ardhmen në ruajtjen dhe forcimin e vlerave që Organizata dhe shtetet pjesëmarrëse mishërojnë.

Sa i përket situatës politike në vend, Presidenti Meta theksoi me domosdoshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi vetëm sipas Kushtetutës së miratuar me konsensus tre vite më parë.

Presidenti Meta foli gjithashtu për procesin e integrimit europian dhe vlerësoi angazhimin e sinqertë të të gjitha vendeve anëtare të BE-së për të mbështetur procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë përsëri objekt shqyrtimi në Samitin e Zagrebit që do të zhvillohet në maj të vitit 2020”, – vijoi Presidenti i Republikës, “dhe, në këto 6 muaj, 9 kërkesat e Bundestagut duhet të shërbejnë si harta e vetme e rrugës për Shqipërinë që mund të çojë në një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në”.

Më herët Presidenti njoftoi se ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, është i padëshiruar në Presidencë. Sipas tij ky vendim vjen për dy arsye. E para, sepse Borchardt vuri në diskutim Dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore në Shqipëri në qershor 2019. E dyta, sepse ai, i tregoi publikisht gishtin qytetarëve shqiptarë.

Letra është dërguar nga Kabineti i Presidentit në adresë të Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE në Kopenhagen, Zyrës së Pranisë së OSBE në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme në Tiranë.


TË NGJASHME