HomeLajme

Borxh vetëm 3 bizneseve, përfaqësuesit e Financave: Janë në proces shlyerjeje

Fondi Monetar Ndërkombëtar uli shifrën e borxhit publikShqipërisë për vitin 2018, nga 70.5 përqind e prodhimit kombëtar, në 68.6 përqind, duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura.

Sipas shpjegimit në raport, FMN-ja thotë se vlerësimi për borxhin e Shqipërisë u përmirësua, pasi rritja ekonomike për vitin e kaluar rezultoi më e lartë nga pritshmëritë, ndërsa qeveria mori më pak borxh nga kufiri ligjor.

“Ulja e borxhit publik dhe pranimi edhe nga institucionet ndërkombëtare, tashmë midis 67-68%, në varësi të përfshirjes apo jo të detyrimeve të prapambetura, ose edhe më poshtë nëse e korrektojmë me pagesat që do të bëhen me të ardhurat e Eurobondit, që do ta çonte në nivelin rreth 65%. Ky është një konfirmim i pritshmërive tona”, tha Erjon Luçi, zv.ministër i Financave.

FMN-ja deklaroi se ekonomia shqiptare është rritur vitin e kaluar me 4.2 për qind, nga 4 për qind që vlerësohej më parë, ndërsa deficiti fiskal, pra borxhi i ri që qeveria mori në 2018-n rezultoi 1.6 për qind, nga 2 për qind që pritej.

“Ai objektiv që përpara disa kohësh po provohej pak i vështirë për arsye të ndryshme, i arritjes së 60 përqindëshit, tani duket relativisht i arritshëm”, tha më tej Luçi.

Por, pavarësisht uljes së borxhit, FMN-ja i ka kërkuar qeverisë që të shlyejë menjehërë pjesën e saj në detyrimet e prapambetura prej 200 milionë eurosh, për të mos vënë nën vështirësi biznesin.

“Ka një element të lidhur kryesisht me pjesën e rimbursimit të TVSH-së nga investimet e huaja direkte strategjike, të cilat janë maturuar këto vite, dhe kanë krijuar një presion pak më të madh sa i përket rimbursimit të TVSH-së mbi nivelet historike. Duhet thënë se me kompanitë ka një riskedulim të këtyre pagesave”, u shpreh Luçi.

Ndërsa një tjetër risk për financat e vendit, FMN-ja liston koncesionet. Por, sipas qeverisë, fatura e koncesioneve është nën kontroll dhe nuk e cënon uljen e borxhit publik./tch


TË NGJASHME