HomeLajme

Britani e madhe, dronë mbi pista mbyllet aeroporti “Gatwick”

Mijëra pasagjerë në një nga aeroportet më të frekuentuara në Britaninë e Madhe po përjetojnë vonesa në udhëtime pasi dronë janë parë mbi të.

Pistat në Gatwick u mbyllën pasi dy mjete u panë në afërsi. Rreth 10 mijë pasagjerë janë prekur, ndërsa avionët nuk mundën të ngriheshin, ndërkohë që ata në zbritje u devijuan drejt aeroporteve të tjera përfshirë heathroë në Londër, Luton dhe Mançester e disa madje edhe drejt Kardifit, Parisit dhe Amsterdamit.

Zyrtarët thanë se stafi po përpiqet të gjejë një dron që u raportua se vazhdonte të qëndronte në ajër. Pasagjerët në pritje për të udhëtuar u udhëzuan të kontrollonin statusin e fluturimit të tyre, ndërsa Easyjet i kërkoi klientëve të mos shkonin në Gatwick nëse fluturimet e tyre ishin anuluar.

Grupi i menaxhimit të kontrollit ajror evropian, Eurocontrol tha se pistat qëndruan të mbyllura deri në orën 11:00 sipas orës lokale. Aeroporti u mbyll pak pas orës 21:00 të së mërkurës kur dy dronë u dalluan të fluturonin mbi pista. U tentua që aeroporti të hapej rreth orës 3 të mëngjesit, por u vendos të mbyllej sërish pas 45 minutash pasi sërish u pikasën dronë.

Njësitë e policisë dhe një helikopter nisën kërkimin për operatorët e dronëve pasi një tjetër mjet u raportua vetëm pak para orës 7.


TË NGJASHME