HomeRajon

Britania e Madhe e shqetësuar për situatën në Libi

Britania e Madhe është thellësisht e shqetësuar për situatën humanitare dhe atë të sigurisë në Libi, ka thënë Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, të enjten, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Hunt i ka bërë këto komente pasi ai dhe kryeministrja britanike, Theresa May, janë takuar me kryeministrin e Libisë, Fayez al-Serraj, në Londër. “Qeveria britanike ndan shqetësimin e thellë me kryeministrin Serraj për situatën në Libi, ku gjendja humanitare dhe ajo e sigurisë vazhdojnë të përkeqësohen”, ka thënë Hunt.

“Diplomacia është rruga e vetme për të ndalur përgjakjen dhe pasigurinë. I kemi bërë thirrje kryeministrit Serraj që të inkurajojë të gjitha palët për arritjen e një armëpushimi si dhe për ofrim të ndihmave për ata që kanë nevojë”, ka shtuar ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë ditë më parë se nga luftimet mes forcave rivale në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, kanë vdekur më shumë se 200 persona, përcjell REL.

Përleshjet, që kanë nisur në fillim të muajit prill, kanë kërcënuar nisjen e një lufte civile.

Luftimet në Tripoli kanë nisur si pasojë e përleshjes së Ushtrisë Kombëtare të Libisë, të udhëhequr nga komandanti, Khalifa Haftar, dhe milicive të tjera, që janë të lidhura me Qeverinë e Libisë, të përkrahur nga Kombet e Bashkuara.

Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se 25,000 persona janë zhvendosur si pasojë e luftimeve.

Libia, vend i pasur me naftë në Afrikën e Veriut, është shkatërruar nga dhuna, paqëndrueshmëria politike dhe përpjekjet për pushtet qëkur sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.


TË NGJASHME