HomeLajmi i Fundit

BSH merr vendimin, Sejko: Nuk do të ndryshohet norma bazë e interesit, e kredive njëditore dhe depozitave

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit edhe për këtë tremujor.

Gjatë një konference për shtup Guvernatori i Bankës, Gent Sejko, deklaroi se Këshilli ka vendosur që “të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%; të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, përkatësisht në 0.1% dhe 0.9%”.

Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se në këtë tremujor inflacioni bazë ishte i qëndrueshëm, ndërsa shtoi se kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7%.

“Pasojat e pandemisë vijojnë të jenë prezentë në ekonomi. Informacioni i ri i përfituar në tremujorin e fundit ka qenë në kahun e pritjeve tona. Inflacioni bazë ishte i qëndrueshëm. Në tërësi ecuria e inflacionit ka qenë subjekt i i luhatjeve të shpeshta e të papritura të faktorëve të ofertës. Nga ana tjetër, faktorët me ndikim afatmesëm të inflacionit shfaqen të qëndrueshme. Ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritshmëritë tona. BSH gjykon se rritja e qëndrueshme punësimit dhe pagave do të ndjekë zgjerimin e kërkesës për mallra dhe shërbime. Politika monetare e BSH ka vijuar të gjenerojë një ambient financiar të qetë dhe normal. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7%. Rritja ekonomike do të mbështetet nga zgjerimi i konsumit, rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve”, tha Guvernatori Sejko.

Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës:

Në mbledhjen e datës 04 gusht 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe të normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%. Përveç kësaj Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”.
Në bazë të këtij vendimi, ndryshimet e kësaj rregulloreje të miratuara me vendimin 54/2020, do të hyjnë në fuqi në 1 janar 2022. Ky ndryshim synon të sigurojë konsistencë për datën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të mëparshme të kësaj rregulloreje me afatin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të rregullores “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”, si dhe për t’u krijuar bankave një hapësirë të nevojshme kohore, me qëllim përshtatjen e sistemeve të raportimit për ekspozimet e mëdha edhe mbi baza të konsoliduara.

Miratimin e rregullores “Për medaljet dhe xhetonat të ngjashëm me monedhën metalike Euro”
Kjo rregullore përcakton kriteret teknike të lejueshme në prodhimin, importimin, shitjen, dhe/ose shpërndarjen e medaljeve dhe xhetonave të ngjashme me monedhën metalike euro dhe ndalimin e atyre për të cilat publiku i gjerë mund të ngatërrohet se janë monedha metalike euro.

Miratimin e rregullores “Për kriteret për riprodhimin e kartëmonedhave dhe/ose monedhave metalike në Republikën e Shqipërisë”
Kjo rregullore synon të përcaktojmë kriteret teknike të lejueshme për riprodhimin e imazhit të kartëmonedhave dhe/ose monedhave metalike në Republikën e Shqipërisë për qëllime tregtare promocioni dhe aktiviteteve të ndryshme, si dhe ndalimin e riprodhimeve për të cilat publiku i gjerë mund të krijojë përshtypjen se janë kartëmonedha/monedha të vërteta.

Të dy rregulloret e mësipërme janë hartuar për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.


TË NGJASHME