HomePolitikë

Bundestagu nis diskutimet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Bundestagu gjerman ka nisur diskutimin në lidhje me negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Ky diskutim do të zgjasë 45 minuta.

“Çelje negociatash për Shqipërinë pas plotësimit të kushteve”. Ky ishte vendimi i grupeve Parlamentare të Koalicionit Qeverisës CDU-CSU dhe SPD në Bundestagun Gjerman, të cilat votuan dy ditë më parë rezolutën që t’i rekomandohet qeverisë federale hapja e negociatave me kushte për Shqipërinë.

Krahas 9 kushteve kryesore, vendit tonë në rezolutën e votuar me 24 shtator në parlamentin gjerman i vendosen edhe disa nën kushte të tjera, përfshirë edhe tejkalimin e krizës politike në vend.

Bundestagu gjerman dy ditë më parë skanoi shqetësimet kryesore në Shqipëri, ndërsa kërkoi angazhim thelbësor nga të gjitha palët për tejkaluar krizën dhe për të rikthyer normalitetin, me qëllim vijimin e reformave, të cilat më pas do ta përafrojnë vendin tonë me famijen e madhe të Bashkimit Europian.

“Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”,- thuhet në rezolutën e përbashkët të partive qeverisëse të Gjermanisë, CDU/CSU dhe të SPD.


TË NGJASHME