HomePolitikë

Bushati kritikë ndaj rezolutës së PS

bushati

Komisioni i Jashtëm po diskuton sot mbi projektrezolutën e Partisë Socialiste për “Ndërhyrjet e huaja në procesin elektoral dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”.

Rezoluta po prezantohet nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, ndërsa i pranishëm është edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili ngriti një sërë problematikash sa i takon kësaj nisme të ndërmarrë nga socialistët. Bushati u shpreh se duhet të ketë një qëndrim nga qeveria shqiptare dhe një dokument të certifikuar prej saj për trajtimin e informacionit të klasifikuar.

Sipas ish-ministrit, duhet marrë informacion i specializuar nga shërbimet informative, ndërsa shtoi se në rezolutë mungon edhe një kriter mjaft i rëndësishëm, siç është prania e Shqipërisë në NATO.

“A është konsultuar kjo iniciativë me qeverinë? Nëse po, duhet të kemi një dokument/opinion të firmosur nga qeveria shqiptare. Kjo sepse qeveria është institucioni përgjegjës, që koordinon çështjet. Duhet të kemi një dokument të certifikuar nga qeveria shqiptare për trajtimin e informacionit të klasifikuar. Nuk mundet që ky komision apo parlamenti të futet në ujëra të turbullta. Na lind e drejta të kemi një informacion nga qeveria, se cilat janë vendet e Ballkanit Perëndimor që e kanë marrë një nismë të tillë, që ta marrim edhe ne. Ne si komision, te materiali që do të vijë nga qeveria, duhet të dimë qëndrimin e Italisë dhe Sllovakisë, meqë janë pjesë e trojkës së OSBE, ku jemi edhe ne.

Gjithashtu, a është kjo rezolutë në përputhje me strategjinë e sigurisë kombëtare të Shqipërisë, që është doktrina themelore, ku mbështetet siguria. Në këtë rezolutë mungon kriteri i rëndësishëm, që është prania e Shqipërisë në NATO. Neve na duhet një qëndrim nga qeveria shqiptare. Duhet të marrim opinionin e specializuar, sepse në qeverinë shqiptare është edhe SHIU, agjencia kombëtare për sigurinë kibernetike, etj. Këto elementë duhet t’i kemi shumë të qartë para se t’i japim një formë substanciale diskutimit”, tha Bushati.


TË NGJASHME