HomePolitikë

Bushati në Kongresin Amerikan: Të përmirësojmë imazhin ndërkombëtarisht

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ndodhet në Washington me ftesë të Komisionit të Helsinkit të Kongresit Amerikan për të zhvilluar një seancë informuese mbi sfidat që pritet të përballet kryesia Shqiptare e OSBE-së në vitin 2020. Në cilësinë e kreut të delegacionit parlamentar të OSBE-së, z. Bushati informoi komisionin e Helsinkit mbi prioritetet e Shqipërisë gjatë drejtimit të kësaj organizate.

“Dikur Shqipëria nuk ishte pjesë e diskutimeve që u konkretizuan me Aktin Final të Helsinkit. Që prej ministerialit të Milano në Dhjetor të vitit 2018, shtetet anëtare të OSBE nga tre kontinente, na besuan drejtimin e organizatës për 2020’, u shpreh z. Bushati.

Marrja e kryesisë së OSBE për Shqipërinë ka një rëndësi të madhe për vendin. Pas anëtarësimit në NATO, vijoi ai, kjo është arritja më e madhe e politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Nga një konsumatore e sigurisë dhe përfituese nga asistenca me programet e demokratizimit të OSBE, sot Shqipëria është kontribuese për çështjet e sigurisë. Le ta konsiderojmë këtë përgjegjësi si një platformë për të përmirësuar imazhin dhe rritur kredibilitetin e vendit në arenën ndërkombëtare”, përfundoi z. Bushati fjalën e tij në Komitetin e Helsinkit të Kongresit Amerikan.

Gjatë vizitës së tij në Washington, Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi një diskutim në Këshillin e Atlantikut mbi mjedisin e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor, si dhe zhvilloi një takim me të dërguarin special të SHBA për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer dhe me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroazine Philip Reeker.


TË NGJASHME