HomePolitikë

Cakaj takon të dërguarin special amerikan për Ballkanin

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një takim me Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të Ngarkuarin Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

“Lidhur me situatën e brendshme në Shqipëri, bashkërisht nënvizuam nevojën për të pasur një dialog gjithëpërfshirës për reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODHIR. Kjo është thelbësore për të përmirësuar edhe më tutje cilësinë e sistemit elektoral dhe, rrjedhimisht, demokracinë në Shqipëri në përgjithësi”, u shpreh në një reagim në Facebook.

Sa i përket çështjeve rajonale, Cakaj tha se pas Marrëveshjes së Prespës, çështja themelore në rajon është arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë”, theksoi Cakaj.

Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu, në bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së, si një angazhim të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit shumëpalësh.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë referenca e patjetërsueshme politike e diplomatike e Shqipërisë.”- përfundoi statusin e tij  Cakaj.


TË NGJASHME