HomePolitikë

Çështja Tahiri, Manjani: Gjykata nuk ka prova për ta dënuar

ylli-manjani

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka folur në një lidhje telefonike për “News24” për vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ish-ministri Manjani tha se Saimir Tahiri si individ duhet ta gëzojë pafajësinë, pasi gjykata nuk kishte prova për ta dënuar, duke shtuar se akuza për shpërdorim detyre është qesharake dhe duhet të bjerë.

Por, si politikan, Manjani, deklaroi se ish-ministri ishte pjesë e projektit të Rilindjes për të kanabizuar Shqipërinë. Lidhur me këtë, Manjani theksoi se ka faj jo vetë Tahiri, por gjithë Rilindja, madje edhe LSI, që sipas tij, nuk e ka denoncuar aq sa duhet këtë fenomen kriminal.

“Në vetvete kanabizimi ishte projekt që Rilindja mban përgjegjësi. Edhe LSI ka përgjegjësi, sepse nuk e denoncoi mjaftueshëm këtë fenomen kriminal. Detyroi qytetarët të linin punët e ligjshme dhe të bënin një punë të paligjshme. Në këtë hulli nuk përjashtohet dhe Saimir Tahiri, që ka qenë personi kyç”, tha Manjani.

Ndërsa pyetjes nëse është Saimir Tahiri një nga “peshqit e mëdhenj”, ish-ministri iu përgjigj po me pyetje, duke thënë se “Nuk besoj në teorinë “peshk i madh” apo i “peshk i vogël”. Por, unë them a ka një trafikant droge të arrestuar sot? Ky do të ishte një “peshk i madh””.

Si e cilësoni vendimin e gjykatës?
Është vendim gjykate, s’kam çfarë t’i them unë. Nuk kam pas një surprizë për këtë vendim. Është një gjë jo e papritur nga ana ime. Tahiri duhet kritikuar dhe rëndë madje, sepse në kohën që ishte ministër në Shqipëri lulëzoi fenomeni më i keq i mundshëm, kanabizimi. Unë nuk e di nëse atë e ka Saimiri në kurriz, e ka Rama apo gjithë Rilindja. Por, duhet të ndajmë veprimtarin e ministrit nga shtetasi Saimir Tahiri. Pasi shtetasi Saimir Tahiri duhet të gëzojë pafajësinë, pasi askush nuk mund të dënohet pa prova. Edhe akuza për shpërdorim detyre duhet të bjerë. Unë nuk pres nga gjykata që të bëjë politikë.

Akuzat ndaj Tahirit …
Është një farsë, idiotësi të akuzohet shtetasi Saimir Tahiri për grup i strukturuar kriminal. Duhet të ndajmë veprimtarinë politike të Tahirit nga të drejtat e tij si qytetar. Ka shumë çështje të tilla, që duhen gjykuar. Problemi në Shqipëri është i sistemit, sistemi ka gropa, vrima, që nuk i ka mbyllur, por i ka thelluar. Ky është problemi më i madh. Është një çmenduri që jeton këtu, ulet këmbëkryq. Po shkojmë drejt drejtësisë së Enver Hoxhës, turp.

Pse trupa gjyqësore ndenji kaq gjatë e mbledhur, do e kalojë Vettingun?
Ata gjyqtarë janë njerëz prej mishi e kocke, jetojnë në një presion të paparë ndonjëherë, presion politik, presion ndërkombëtar. Është një presion i jashtëzakonshëm, një situatë që nuk ja uron as armikut. Ata kanë familje, jetën e tyre për të drejtuar.

Vendimi, zgjidhje për t’i bërë qejfin të gjithëve?
Nuk e di këtë gjë. Akuzat e ngritura qartësisht nuk ishin të provuara dhe gjykata e ka provuar këtë. Në Shqipëri secili duhet të mbrojë veten, se shteti nuk të mbron.

Gjyqtarët që vendosën për Tahirin do e kalojnë Vettingun?
Këtë fall nuk e shti dot nuk besoj se Vettingu ka krijuar një standard demokratik.


TË NGJASHME