HomeModa

Çfarë ndodh kur një njeri i thjeshtë blen një çantë luksi

Ne blejmë sende që s’na nevojiten sepse thellë-thellë, besojmë se do na përmirësojnë jetën, se do na bëjnë njerëz më interesantë. Ose, minimumi, besojmë se këto sende do na falin njëfarë kënaqësie që herët a vonë venitet si çdo gjë tjetër.

Sidoqoftë, sipas një studimi nga Boston College dhe Harvard Business School, efektet psikologjike që pasojnë blerjen e një produkti luksoz s’janë as pozitive, as neutrale. Shumicën e njerëzve, blerja e produkteve të luksit i bën të ndihen keq.

Studime të mëparshme sugjerojnë se luksi i tërheq njerëzit ngaqë “premton status dhe vetëbesim,” thotë Nailya Ordabayeva, autore e studimit të lartpërmendur dhe pedagoge e marketingut në Carroll School of Managment. “Por nuk është studiuar mjaftueshëm mënyra si ndihen njerëzit kur i konsumojnë këto produkte luksi. Donim të zbulonim në vetëbesimi që premtojnë këto të mira materiale materializohet vërtet pas blerjes apo ka pasoja të panjohura?”

Nëse blerësit besonin se blerja e një rripi Gucci apo shalli Hermes do i bënte të ndiheshin më mirë, pas transaksionit zbuluan se “ndjenin një distancë mes njeriut që ishin dhe luksit që përfaqësonte produkti,” thotë Ordabayeva.

Studimi doli në përfundimin se blerësit ndiheshin sikur s’ishin të denjë për produktet e luksit pavarësisht moshës apo të ardhurave. Dy të tretat e 1000 të intervistuarve, pavarësisht të ardhurave, thanë se veshja e diçkaje të shtrenjtë apo një çantë luksi i bënte të ndiheshin “jo autentikë,” sikur identiteti i tyre binte ndesh me madhështinë e produktit.

Gjithashtu, Ordabayeva thotë se produktet luksoze që blihen për përdorim vetjak, si për shembull produktet kozmetike, kanë të njëjtin efekt.

Nëse blini produkte luksi dhe i shijoni, kemi një lajm pakëz të hidhur. Studiuesit dolën në përfundimin se ata që ndiheshin mirë me produkte të shtrenjta ishin ata që mendonin se meritonin gjithçka në jetë.

Sidoqoftë, blerja e sendeve të shtrenjta ka disa anë të mira, përtej këtij studimi. Së pari, mund të përdoren për t’u rënë në sy njerëzve me rëndësi, si puna e një intervistuesi që do t’ju punësojë. Dhe së dyti, janë ruajtëse të vlerës. Një Hermes sot, vlen sa dy Hermes nesër.

Përshtatur nga The Guardian


TË NGJASHME