HomePolitikë

Çfarë u diskutua në darkën e Mogherinit me liderët e Ballkanit

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, priti mbrëmë në një darkë pune udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën ra në sy mungesa e Ramës.

Bëhet fjalë për një traditë joformale që ka nisur qysh në vitin 2017, ndërsa mësohet se kjo është darka e fundit pak para lënies së mandatit të saj në fillim të dhjetorit.

Është njoftuar se në takim do të merrnin pjesë: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi; Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç; Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev; kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq; dhe anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Zhelko Komshiq, Millorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviq.

Gjatë takimit u shpreh keqardhje për vendimin e Këshillit Evropian, për të mos hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Palët ranë dakord që integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet një objektiv kryesor strategjik, në interes të përbashkët të BE-së dhe rajonit.

Zyrtarët e lartë të BE-së dhe liderët e Ballkanit gjithashtu adresuan sfidat e përbashkëta që gjenden përpara.

Krerët e shteteve nga Ballkani Perëndimor, gjatë takimit riafirmuan angazhimin e tyre për perspektivën evropiane, reformat, si dhe bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Më herët, para se të fillojë darka e punës, zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq tha se “ky është takimi i fundit në kuadër të një serie takimesh të tilla, që janë mbajtur gjatë pesë viteve të fundit”.

“Pritet që Përfaqësusja e Lartë, së bashku me partnerët nga Ballkani Perëndimor, të shkëmbejnë mendime mbi zhvillimet në rajon, të diskutojnë sfidat në të ardhmen dhe të vlerësojnë atë që është bërë dhe çfarë është arritur në pesë vitet e fundit”, ka thënë Kocijançiq.

Është ky takimi i parë midis Mogherinit dhe udhëheqësve të Ballkanit, që kur Këshilli Europian dështoi t’i jepte dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të filluar bisedimet e pranimit.

Po ashtu, Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen për herë të parë që nga viti i kaluar, kur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre janë ndërprerë, për shkak të taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia në nëntor 2018.

Mogherini ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Mandati i saj skadon më 1 dhjetor. Pritet që në këtë takim të diskutohet rreth situatës dhe problematikave në Ballkanin Perëndimor, si dhe dhënia e këshillave të fundit nga Federica Mogherini.

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka qenë shumë e angazhuar në avancimin e dialogut Kosovë-Serbi gjatë mandatit të saj, por dhe për procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


TË NGJASHME