HomeSport

Champions League/ Partizani nuk dorëzohet para Qarabag, merr barazimin dinjitoz

Ndeshja e parë në Champions League në kuadër të raundit të parë kualifikues mes Partizanit dhe Qarabag, u mbyll me rezultatin 0-0. Partizani arriti të ruajë këtë rezultat përballë një kundërshtari mjaft të vështirë si Qarabag. Jo vetëm kaq, por në ndeshjen e zhvilluar në “Selman Stërmasi”, ‘Demat e Kuq’ rrezikuan dhe pretenduan edhe fitoren.

Ndeshja filloi më mirë për miqtë, të cilët në minutën e 20 goditën traversën me Ozoviç. Nga ana tjetër, rastet për Partizanin ishin të vakëta dhe pa rrezikshmëri të lartë. Pas pushimit të pjesës së parë, Partizani, pati rastin ideal për të shënuar.

Fillimisht Çinari provoi të kalojë ekipin në epërsi me një goditje me kokë ndërsa në zhvillimet e ofensivës, në një rivënie këndore, vetëm tranversa i mohoi golin Belicës. Deri në fund shifrat nuk ndryshuan, dhe rezultati përligji atë ç’ka u pa në fushë.

“Tani duhet të mendojmë që kemi edhe një ndeshje, atë vendimtare, ajo që bëmë sot duhet të na ndihmojë për besimin. duhet të përgatitemi mirë me bindjen se kualifikimi është i hapur. E dimë që është e vështirë por pas ndeshjes, kemi më shumë ambicie pasi gjithcka është e mundur”- tha Franco Lerda, trajneri i Partizanit.

Partizani arrin të ndalë një skuadër me buxhet të madh, dhe me eksperiencë në elitën e Champions dhe do të luajë shanset e tij në transfertë. Ndeshja e kthimit mes kampionëve të Shqipërisë dhe Karabakut do të zhvillohet në 17 Korrik në Baku.



TË NGJASHME