HomeSport

Championsi çmendurive, Lucas Moura çon Tottenham në finale

Jo më kot Champions League është magjike. Një kompeticion, ku sidomos këtë vit mund të quhet me plot gojën Championsi i çmendurive, ndeshje emocionuese, përmbysje të paparashikueshme, që kanë mbërthyer pas ekranit çdo futbolldashës anë e mbanë botës.

Liverpool bëri magjinë kur përmbysi Barcelonën dhe kaloi në finale. E dje, ishte radha e Tottenham që të dhuronte sërish emocione dhe të bënte përmbysjen tjetër ndaj Ajax, duke siguruar kështu biletën për në finalen e madhe të Madridit. Pas këtyre rezultateve, tanimë finalja në “Wanda Metropolitana”, është një finale tërësisht angleze.

Në ndeshjen e djeshme, Ajax vinte si favorit, fitorja në Londër 1-0 dhe fakti që luante para publikut të vet, i jepnin një farë sigurie djemve të drejtuar nga Ten Hag. Dhe në fakt, pjesa e parë, foli për holandezët që arritën të shënonin dy herë me De Ligt në minutën e 5-të dhe Ziyech në minutën e 36-të. Pas pjesës së parë, kualifikimi për Ajax dukej se ishte vetëm një formalitet.

Por në pjesën e dytë, e paimagjinueshmja ndodhi Tottenham arriti të përmbysi gjithçka duke siguruar finalen e madhe. Heroi i anglezëve, ishte braziliani Lucas Moura që shënoi tripletë duke shkruar historinë për ekipin londinez. Tanimë, pritet vetëm qershori dhe finalja angleze mes Liverpool-Tottenham.

https://www.youtube.com/watch?v=jb-IyvRr4Xg

TË NGJASHME