HomeSport

Chelsea nuk do të ketë të drejtë të transferojë lojtarë

Organi qeverisës i futbollit botëror bëri të ditur sot se Chelsea është dënuar për shkak të shkeljeve të rregullave në regjistrimin e lojtarëve nën moshën 18-vjeçare. Për më tepër, Chelsea dhe Federata e Futbollit të Anglisë kanë marrë edhe gjoba për këtë gjë.

Megjithatë, Chelsea dhe Federata e Futbollit të Anglisë pritet ta apelojnë këtë vendim nesër, përmes Komitetit të Apelit të FIFA-s.

Pse është dënuar Chelsea?

Chelsea është dënuar për shkak se FIFA ka gjetur parregullsi në mënyrën se si klubi i ka transferuar dhe i ka regjistruar futbollistët e huaj, nën moshën 18-vjeçare. FIFA i përmend 29 raste të tilla, mirëpo nuk është e qartë se cilat janë ato raste.

Klubi anglez gjithashtu është dënuar pasi që ka ndikuar, si klub i tretë, në dy raste, për transferimin e lojtarëve të rinj te klubet e tjera.

Përveç dënimit me pezullim për dy afatet e ardhshme kalimtare, FIFA e ka gjobitur me rreth 500 mijë euro Chelsea dhe rreth 420 mijë euro Federatën e Futbollit të Anglisë.

Procesi i apelimit

Chelsea e ka të drejtën e apelimit dhe klubi pritet ta shfrytëzojë këtë mundësi qysh nesër, përmes Komitetit të Apelit të FIFA-s. Bazuar në rastet paraprake, procesi i vendimmarrjes mund të zgjasë dy deri në tre muaj.

Nëse Chelsea nuk është i lumtur as me vendimin e Komitetit të Apelit, atëherë mund ta apelojë vendimin edhe në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit, e cila do të zgjaste disa muaj.

Dënimi i Chelseat është i vlefshëm për dy afatet e ardhshme kalimtare, domethënë afatin kalimtar të verës së këtij viti dhe afatin kalimtar të janarit të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, nëse drejtuesit e klubit vendosin ta apelojnë këtë vendim, atëherë dënimi do të pezullohet derisa të merret vendimi përfundimtar.

Kjo do t’ia krijonte mundësinë anglezëve që të transferojnë lojtarë gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që edhe nëse në fund vendoset që vendimi i FIFA-s ishte i drejtë, ai do të vlejë për dy afatet e ardhshme kalimtare.


TË NGJASHME