HomeLajmi i Fundit

Çifti hajdut dhunon një të moshuar

Një biznesmen nga Peqini ka rënë pre e grabitjes paraditen e sotme.  Shtetasi Skënder Zeqiri, 76  vjeç, është grabitur nga një çift bashkëshortësh, të cilët i kanë marrë nga banesa sende me vlerë të konsiderueshme.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Xhami”. Nga veprimet paraprake të kryera nga policia rezulton se rreth orëve të paradites në banesën e tij ka shkuar një çift, me pretendimin se gruaja kishte nevoja personale.

Ata dyshohet se i ka dhënë për të pirë një shishe me lëng te moshuarit, duke i paralizuar kujtesën.

“Dy shtetasit ende të paidentifikuar kanë marrë një shumë parash dhe janë larguar pa ushtruar dhunë ndaj të zotit të banesës, i cili tashmë ndodhet në spital për ndihmë mjekësore si pasojë e pijes së konsumuar” thotë policia.

Por vetë familjarët pretendojnë se edhe është dhunuar dhe shenjat në trup e tregojnë atë.

“Ka 6 çuna, shi si e kanë bërë. E gjetën vetëm në shtëpi.Me grushta. Çfarë ka pas në shtëpi i kanë marrë”.

Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet duke grumbulluar çdo provë të mundshme që do çonte në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njëkohësisht shtetasit i është marrë mostër gjaku për të përcaktuar nëse ka element toksikologjikë si pasojë e konsumimit të lëngut.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë  për veprën penale të ‘’Vjedhjes’’.