HomeSport

Çmenduri në Kosovë, 2 milionë tifozë kërkojnë bileta për ndeshjen ndaj Çekisë

Çmenduri për një biletë. Dje brenda pak minutash u shitën të gjitha biletat për ndeshjen Kosovë-Çeki, duel i cili zhvillohet më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ky informacion tashmë është konfirmuar edhe nga kompania që merret me shitjen e biletave, teksa përmes një njoftimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se numri i të interesuarve për t’u pajisur me një biletë ishte afro 2 milionë vetë.

Stadiumi ku do të zhvillohet ndeshja ka një kapacitet prej 12.500 vendesh dhe natyrisht që do të jetë plot, por ata që kanë mundur të pajisen me një biletë mund të quhen me shumë fat.

Kjo nuk është hera e parë që biletat për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës shiten brenda pak minutash sapo dalin në treg. Ecuria e mirë e “dardanëve” ka bërë që interesimi të jetë i jashtëzakonshëm për ndeshjet eliminatore.

FLET ADEMI – Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë dje se si rezultat i kërkesave të shumta ka pasur probleme me sistemin “online” të biletave. Ai ka bërë të ditur se për vetëm 15 minuta pas daljes së biletave në shitje, në platformën “tiks.app” janë bërë gati dy milionë klikime.

agimademiprofil-e1528965640900-780x439_1530884166-7107422

“Brenda 15 minutave, 1 milion e 800 mijë klikime janë bërë në sistem për të blerë bileta ‘online’. Ka pasur probleme me sistemin, dhe kjo ka ardhur edhe si rezultat i kërkesave të shumta, por edhe për shkak të një problemi të një kablloje të in ternetit. Sido që të jetë, të gjitha biletat janë shitur brenda dy orëve.

Kjo është diçka e jashtëzakonshme. Ky interesim i madh i popullit po vjen si rezultat i lojërave të mira që po bëjnë djemtë në fushë dhe ne jemi krenarë me ta”, ka thënë Ademi dje për “Koha Televizion”.


TË NGJASHME