HomeSport

Conference League/ Mourinho: Nëse Roma fiton, një shqiptar ngre kupën

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka zhvilluar një konferencë për shtyp pasi mbërriti në Tiranë bashkë me ekipin. Ai është shprehur se nëse Roma fiton, një shqiptar ngre kupën duke iu referuar faktit se aty luan Marash Kumbulla dhe kjo shpjegon faktin se pse shqiptarët janë më shumë pro Romës.

Sa i përket stadiumit, “Special One” tha se është shumë i bukur dhe se është i lumtur që aty do ta luajë një finale.

“Para se gjithash gaboj pak në analizë sepse mendoj që e vetmja arsye pse ekziston kjo ‘feeling’ pro Romës është sepse kemi një lojtar shqiptar. Më duket gjëja më logjike, më normale. Nëse Roma fiton, një shqiptar ngre kupën. Kjo mendoj ka një domethënie. Kam luajtur një superkupë europiane, Manchester United-Real Madrid në Maqedoninë e Veriut, ishte shumë bukur. Ishte shumë bukur. Një vend, një qytet në festë me një mundësi unike për të pasur një superkupë europiane Real Madrid, Manchester United. Edhe në Tiranë është e njëjta gjë. Kemi ardhur dhe është e thjeshtë për të kuptuar që është një moment i rëndësishëm për ta, një moment që e meriton si vend për rritjen që ka pasur. Stadiumi është shumë-shumë i bukur. Dukshëm një mëkat sepse kapaciteti nuk është ai që do mirëpriste gëzimin e më shumë tifozëve por jam shumë i lumtur që vij për të luajtur këtu”, tha Mourinho.

Nga Tirana Jose Mourinho foli edhe për futbollistin shqiptar Marash Kumbulla. E nisi me humor kur kujtoi dëmtimin që mbrojtësi shqiptar i shkaktoi në një stërvitje, ndërsa konfirmoi se Kumbulla do të jetë pjesë e Romës edhe sezonin e ardhshëm. “Special One” u shpreh se mbrojtësi shqiptar është një lojtar me potencial për t’u rritur edhe më shumë.

“Marashi më ka vrarë, sepse nga të gjithë lojtarët ai do ishte i fundit sepse është më i rëndi nga të gjithë. Më vrau. Po mendoja të shkoja në ndeshje me shapka, sepse njëra këmbë nuk hynte në këpucë. U detyrova të vesh 44-ta, ndërkohë që e kam numrin e këmbës 42… Marashi është një djalë për së mbari, është një lojtar i zoti, ka bërë shumë këtë sezon. Vitin e ardhshëm do jetë me ne 100 përqind, sepse është një lojtar me potencial për t’u bërë edhe më i mirë”, tha Mourinho.

Pyetja e një gazetari shqiptar në gjuhën angleze shkaktoi jo pak të qeshura gjatë konferencës për shtyp të trajnerit të Romës, Jose Mourinho. Jo se kishte diçka që nuk shkonte me pyetjen, por sepse trajneri u bë konfuz, pasi mendonte se pyetja do i vinte në gjuhën shqipe.

Mourinho tha se është hera e parë që vjen në Shqipëri. Ai u shpreh se është i lumtur që ndodhet në Tiranë dhe që do të luajë këtë “finale shqiptare”.

“Shqipëria… të jem i sinqertë është hera e parë që vij. Është një nga shtetet e paktë në Europë që nuk kam vizituar, sepse futbolli më ka çuar gjithkund, por në Shqipëri. Ardhja këtu është diçka e bukur. Më pëlqen shumë të njoh shtete, më pëlqen të njoh botën, jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Nuk do ta vizitoj qytetin, jam shumë i lumtur me aeroportet, sepse për shembull kur luajtëm kundër Vitessa, qëndruam për 2 orë në aeroport, nuk e di përse, por na bënë shumë kontrolle. U ndjeva sikur disa prej lojtarëve tanë si të ishin kriminelë, se po kërkonin të gjenin diçka. Këtu gjithçka ishte shumë e thjeshtë, gjithçka shumë këndshëm. Hoteli, nuk kemi shkuar ende, e dimë që është fare pranë nga këtu. Fusha e gjelbër është e mirë, stadiumi është një stadium shumë i bukur. Dhe mendoj që sigurisht që UEFA mund të jetë kritike sepse stadiumi nuk ka 50-60 mijë njerëz (kapacitet), por UEFA nuk mund të kritikohet që e dërgon futbollin kudo, në shtete emergjente, kështu që jam i lumtur që jam këtu, dhe jam i lumtur që do luaj këtë finale shqiptare nëse mund ta quajmë kështu”, tha Mourinho.

Të gjithë e njohin edhe si “Special One”, por për Mourinho-n, nesër në “Air Albania” ka rëndësi ekipi dhe jo një individ i vetëm.

“Ajo historia e “speciales” është histori e vjetër. Është një histori kur je në fillime dhe kur ke më shumë maturi ke më shumë stabilitet, mendon më shumë për njerëzit dhe më pak për veten. Kështu që ajo histori për mua personalisht është kthyer në një histori shumë-shumë të vjetër. Do të bëj nesër atë që çdo trajner mund të bëjë, që është të përpiqem të ndihmoj. Nuk besoj në momente magjike, kur mbërrin në finale pas 300 e diçka ditë pune. Puna ka mbaruar. Është momenti i skuadrës, është skuadra që luan nesër. Lojtarët e skuadrës, unë, stafi, të gjithë, është momenti ynë, nuk është momenti i një individi. Siç po thoja nuk ka nevojë për të bërë asgjë të veçantë, duhet thjeshtë të jemi ne, të jemi vetvetja si skuadër dhe të jemi të ndërgjegjshëm për vlerat që ne kemi, të ndërgjegjshëm për kufizimet që kemi, dhe mbi të gjitha, ti je një skuadër e mirë nëse di t’i fshehësh këto probleme të vogla, që normalisht ka çdo skuadër, dhe ne kemi disa”, tha Mourinho./tvklan.al


TË NGJASHME