HomeSport

Conte prezantohet te Inter, shpalos planin e merkatos

Mjaftoi vetëm një ditë pas shkarkimit të Luciano Spalletti, Inter nuk ka humbur kohë dhe ka prezantuar trajnerin e ri të ekipit, italianin Antonio Conte. Në këtë mënyrë, ish trajneri i Chelsea, Juventus etj, merr drejtimin e ekipit me një kontratë që automatikisht e ka shndërruar në trajnerin më të paguar të Serie A. Conte do të përfitojë 9 milionë euro neto në sezon plus bonuset dhe paga e tij, mund të arrijë plot 12 milionë euro.

Veç prezantimit të Contes, është prezantuar edhe stafi, ku bie në sy se në postin e zëvendës-trajnerit është vëllai i tij Gianluca. Lele Oriali, siç pritej, do të mbajë postin e menaxherit të përgjithshëm në skuadër. “Fillon një kapitull i ri në jetën time, jam entuziast. Do të përpiqem që me punë t’ia shpërblej besimin që ma dha presidenti sëbashku me drejtuesit. Zgjodha Interit për seriozitetin dhe ambiciet që ka projekti, për historinë që ka ky klub. Më goditi qartësia dhe dëshira e klubit për të rikthyer Interin aty ku i takon”, u shpreh Conte gjatë klipit prezantues.

Përsa i përket merkatos, goditja e parë e Conte, pritet të jetë boshnjaku Edin Dzeko. Sipas raportimeve nga media të ndryshme, më në fund, Dzeko do të bashkohet me teknikun italian shumë shpejt. Një tjetër pistë e hapur për sulmin mbetet edhe ajo e Lukaku. Për mesfushën po mendohet për Barella ndërsa ëndërr mbetet Chiesa.


TË NGJASHME