HomeLajmi i Fundit

COVID-19/ Aktori mirënjohur fierak ndahet nga jeta

I madhi i estradës së Fierit, aktori Fatmir Xhelilaj, u nda jeta ditën e sotme. Ky rast shënon një humbje të madhe në botën e artit dhe kulturës fierake. Ai nuk i bëri ballë luftës ndaj koronavirusit, duke ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare.

Aktori Xhelilaj, ia dedikoi gjithë jetën e tij teatrit të “Bylisit”, ku dha kontributin e tin për 46 vjet me radhë.

Rrugëtimin e tij në botën e artit e nisi si amator, por më vonë ai do të interpretonte përkrah aktorëve të mirënjohur si: Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj.

Profesioni i tij i parë ishte elektriçist dhe ai e ushtronte profesionin e tij në uzinën e naftës në Ballsh. Pas pune ai angazhohej në teatrin e Fierit.

Fatmiri ishte një figurë shumë e dashur për publikun, pasi ai interpretonte me shumë mjeshtëri. Karrierën më të madhe ai e kishte në interpretime komediane, por ai interpretoi edhe drama

“Këpucët angleze” ishte komedia e parë që ai ka luajtur. Kolegët e kanë cilësuar atë si një bashkëpunëtor shumë të aftë.

Gjatë karrierës së tij Fatmiri ka interpretuar afro 180 role, dhe është vlerësuar 4 herë si aktori më i mirë.

Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të  cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës, Gëzim Kamës, etj.