HomeShëndeti

COVID-19/ Vaksina Phizer në shërbim të botës më shpejt se sa pritej

Ditën e enjte Ugur Sahin (bashkëthemeluesi i kompanisë BioNTech), bën me dije se vaksina antiCOVID-19, do të jetë në shërbim të qytetarëve të SHBA-së dhe Europës, para vitit të ri. Ata thonë se janë duke punuar me shpejtësi të madhe, lajm ky i cili u bë gjatë një interviste që u zhvillua në platformën Zoom.

SHBA-ja do të jetë vendi ku kompania ka planifikuar që të aplikojë për autorizimin emirgjent të vaksinës dhe kjo do të realizohet të premten (sot). Sakaq për rregullatorët europianë ata thonë se, një grup tjetër i të dhënave do të dërgohet atje javën e ardhshme.
“Ekziston një shans që të mund të marrim miratim nga SHBA-ja ose Evropa ose të dy rajonet këtë vit,” tha 55 vjeçari Sahin, i cili është gjithashtu shefi ekzekutiv i BioNTech.

“Ne madje mund të fillojmë të shpërndajmë vaksinën në dhjetor,” shtoi ai, “nëse të gjithë punojnë së bashku shumë ngushtë”.

Dy vaksinat ajo e BioNtech dhe Phizerit, si dhe vaksina amerikane Moderna, janë shumë pranë hyrjes në treg dhe shumë shpejt do të fillojë përdorimi i tyre , duke qënë se testimet e shumta kanë dhënë rezultatin se këto vaksina janë 95% të efektshme dhe të sigurta, kundër COVID-19

Që nga shfaqja e rastit të parë në Kinë koronavirusi ka shkaktuar miliona viktima, pra më shumë se 56 milionë njerëz janë infektuar dhe se 1.3 milionë prej tyre kanë vdekur, ndaj lajmi për krijimin e vaksinës shpëtimtare është mirëpritur nga e gjitha bota me shpresën se më në fund kjo pandemi do të mbarojë. Të parët që do të vaksinohen do të jenë punonjësit shëndetësorë, kujdestarët si dhe njerëzit që kanë simptoma dhe gjendje të rènduar shëndetësore.

“A mund të kemi dimër normal?”- ishte një nga pyetjet që iu bënë zotit Sahin.
Ai tha se ka shumë mundësi që vaksina të jetë në përdorim para fundvitit, dhe kjo do të realizohet nëse të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, që nga prodhuesit deri tek autoritetet që do ta miratojnë përdorimin e saj, do të tregojnë bashkëpunim.
“Qeveritë, kompanitë farmaceutike dhe firmat e logjistikës së vaksinave – bëjnë një punë me të vërtetë të mirë, atëherë ne mund të kemi sukses të vaksinojmë 60 deri në 70 për qind të popullsisë deri në vjeshtën e vitit 2021. Dhe kur ta kemi arritur atë atëherë mund të kemi një dimër normal. Pa një mbyllje tjetër.”- tha ai.

Përveç SHBA-së dhe Bashkimit Europian, janë edhe më shumë se 30 vende të tjera të cilat kanë nisur negociatat për sigurimin e vaksinës, dhe secili nga këto vende është në faza të ndryshme të bisedimeve,- shtoi Sahin.

Po ashtu Sahin u shpreh se edhe vendet e varfra do të kenë mundësinë që të kenë vaksinën dhe nuk do të lihen pas dore, pasi BioNTech ka nisur bisedimet me organizata si Organizata Botërore e Shëndetësisë si dhe me Fondacionin Bill dhe Melinda Gates, në mënyrë që vaksina të shpërndahet në të gjithë botën, kostoja gjithashtu do të reduktohet sa më shumë të jetë e mundur.

Çmimi i vaksinës BioNTech dhe Pfizer pritet të jetë rreth 20 dollarë (17 euro) për dozë, me një dozë tjetër përforcuese që do të merret 28 ditë pas së parës.


TË NGJASHME