HomeSport

CR7 e sfidoi, Messi: Jam tek ekipi më i mirë në botë

Përpara disa javësh, në një intervistë të tij për mediet italiane, Cristiano Ronaldo i bëri një ftesë rivalit të tij Lionel Messi, për një sfidë të re në Serie A. Kapiteni i Barcelonës iu përgjigj kësaj ftese, po me një intervistë, por për të përditshmen spanjolle “Marca”.

“Nuk kam nevojë për asnjë ndryshim. Jam te skuadra më e mirë në botë. Sfidat e mia rinovohen vit pas viti. Nuk është e nevojshme që të ndryshoj skuadër, apo kampionat, për të vendosur objektiva të rinj. Jam në shtëpinë time, në klubin më të mirë në botë”, u shpreh Messi.

Messi, në intervistën e tij foli edhe për Pep Guardiolën, me të cilin ka punuar nga viti 2008 deri në 2012-n, e të cilin nuk e ka harruar. Argjentinasi nuk e fshehu dëshirën e tij për të punuar sërish me trajnerin katalanas, edhe pse e di që do të jetë shumë e vështirë.

Së fundmi në medie po flitet edhe për mundësinë e kthimit të Neymar te Barcelona, por 31-vjeçari e sheh këtë manovër si të komplikuar, edhe pse do t’i pëlqente që ta kishte brazilianin sërish përkrah tij në repartin e sulmit.

Një temë tjetër që u prek në intervistën e Messit ishte ajo për “Topin e Artë”, ku argjentinasi u rendit në vendin e pestë për këtë vit, një rezultat që i habiti të gjithë përveç vet futbollistit.

“Sinqerisht nuk i jap shumë rëndësi ‘Topit të Artë’, edhe pse është një çmim me shumë vlera”, tha Messi. “E dija që nuk kisha mundësi për ta fituar këtë sezon. Dëgjoja emrat që përmendeshin dhe e dija që nuk do të fitoja. Nuk prisja të kuptoja pozicionin tim në këtë garë. Kështu që nuk u habita që nuk e fitova, pasi nuk prisja asgjë”.


TË NGJASHME