HomeSociale

Dajt, ARRSH: Ka ende akse ku duhen zinxhirët por situata është përmirësuar

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se edhe mëngjesin e sotëm, kontraktorët e mirëmbajtjes së rrugëve kanë qenë në gatishmëri dhe kanë hedhur kripë në disa segmete të bllokuara prej akullit në rrugë.

konkretisht, situatarajonin verior vijon të mbetet disi e rënduar, edhe pse puna për kriposjen e rrugëve nuk është ndalur. Segmentet ku duhet të kalohet me zinxhirë, ose pjesërisht me zinxhirë janë Domaj-Draj Reç, Ura e Cerenecit-Stebleve, Sllovë -Vasije, Peshkopi-Qafë-Drajë, Peshkopi-Ushtelencë, Qafë Bualli-Krastë, Trebisht-Doganë, ndërsa në të tjerat qarkullimi kryhet normalisht.

Në rajonin qendror, vërehet përmirësim i situatës në akset e Dajtit. Nga Trau i Dajtit-Teleferik-Vilat Qeveritare rekomandohet gjithsesi përdorimi i zinxhirëve në disa segmente, sikurse edhe në Qafë Priskë-Qafë Mollë apo Lunik-Steblevë. Në aksin Krujë-Sarisalltik rekomandohet lëvizja pjesërisht me zinxhirë sikurse edhe në Qafë Priskë-Shëngjergj, për shkak të pranisë së ngricave. Në akset e tjera, qarkullimi është normal.

Qarkullim pa probleme dhe pa zinxhirë ka pothuajse në të gjithë rajonin jugor, duke përfshirë këtu qarqet e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës, edhe pse temperaturat kanë qenë të ulëta përgjatë të gjithë natës.

Për shkak të pranisë së herëpashershme të ngricave në rrugë, ARRSH-ja u bën thirrje përdoruesve të rrugës të tregojnë kujdes, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë rrugore, ndërkohë që duhet të përdorin zinxhirët aty ku këshillohet.


TË NGJASHME