HomeLajme

Dalin detaje të reja nga atentati ndaj prokurorit Ndoja

Hetimet për atentatin në mbikalimin e Shkozetit ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja vazhdojnë, ndërkohë janë kryer analizat balistike të gëzhojave të gjetura në vendngjarje dhe armëve të gjetura në automjetin e braktisur në Ishëm.

Laboratori Policisë Shkencore ka pohuar se ka përputhje të lartë ndërmjet gëzhojave dhe armëve. Nuk ka dyshim tashmë që gëzhojat janë qëlluar nga një armë Kallashnikov ndërsa ekspertët e balistikës do të kryejnë edhe një krahasim të gjilpërës së automatikut dhe shenjës që kanë gëzhojat e gjendura në vendngjarje.

Dyshimet janë se gjatë atentatit, kanë qëlluar dy armë drejt makinës ku ndodhej prokurori Ndoja. Automjeti tip “Benz 280” me targa AA 342 LM që u gjet i braktisur në Ishëm, rezulton të jetë vjedhur dy javë më parë në Tiranë. Kjo është një e dhënë që tregon se atentati kishte kohë që ishte planifikuar dhe autorët do të kujdeseshin që mos të linin asnjë gjurmë.

Megjithatë brenda automjetit u gjetën 2 kallashnikovë, maska, fije floku dhe gjurmë papilare të lënë te një bidon plastike me benzinë i cili mendohet se do të përdorej për të djegur makinën pas atentatit por kjo nuk ndodhi. Sipas hetimeve autorët nuk arritën të digjnin mjetin pasi janë pikasur nga një person dhe janë larguar për të mos u identifikuar.

Laboratori i Policisë Shkencore do të kërkojë të krahasojë nëpërmjet Interpolit, profilin gjenetik të përftuar nga ADN-të e marra brenda makinës së braktisur. Kjo bëhet pasi autorët mund të rezultojnë të dënuar në vendet e Bashkimit Europian.

Të gjitha veprimet e zinxhirit komandues në Durrës po verifikohen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pasi zona monitorohet me patrulla të lëvizshme policore gjatë 24 orëve.

Pikëpyetjet e grupit hetimor janë të shumta pasi, nga koha kur ndodhi atentati rreth orës 16:25, policia mbërriti rreth 20 minuta më vonesë.

Ndërkohë janë shoqëruar në drejtorinë e policisë së Tiranës dy persona me origjinë nga Fushë Kruja por, ende nuk dihet roli i tyre në atë ngjarje kriminale ku mbetën të plagosur tre persona


TË NGJASHME