HomeLajme

“Dashuria nuk është turizëm”, nisma ndërkombëtare që synon ribashkimin e partnerëve të ndarë nga COVID-19

Një grup aktivistësh ndërkombëtarë kërkojnë bashkimin e çifteve të ndara për shkak të mbylljes së kufijve nga shumë vende të botës.

Nën sloganin “Dashuria nuk është turizëm”, ata i bëjnë thirrje qeverive të shteteve të ndryshme të lejojnë partnerët e ndarë apo anëtarët e familjeve të udhëtojnë për t’u bashkuar, pasi të kenë garantuar se nuk janë të prekur nga COVID-19 përmes testeve. 

“Ne, si të dashuruar dhe familje ndërkombëtare, i bëjmë thirrje qeverive të të gjitha shteteve të rishikojnë kufizimet e udhëtimeve. Lejoni ribashkimin jo-burokratik dhe të sigurt të partnerëve të ndarë dhe anëtarëve të familjeve”, shkruhej në faqen zyrtare të kësaj nisme.

“Jemi të gatshëm t’i ndjekim të gjitha rregullat: pagesën e testit të COVID-19, karantinën 14-ditore deri në momentin që të merret përgjigja negative e testit, për sa kohë që çiftet dhe familjet mund të takojnë njerëzit e tyre më të dashur, ashtu siç praktikohet në Danimarkë, Norvegji, Holandë dhe në disa shtetet të tjera”, kërkojnë aktivistët.

Ata kanë nisur një peticion edhe për vendet e Bashkimit Europian, i cili ka mbledhur mbi 5000 firma. Përmes tij, aktivistët kërkojnë që partnerëve që nuk kanë dokumente europiane t’u njihet e drejta e udhëtimit drejt shteteve anëtare për të qenë pranë të dashurve të tyre, duke i shtuar kështu ata krah listës së pasagjerëve që përjashtohen nga kufizimet.

Grupe të posaçme për të ndihmuar në ribashkimin e çifteve janë krijuar edhe në platforma të ndryshme sociale si Facebook, ndërsa mbështetësit e nismës po promovojnë nismën përmes hashtagëve #LoveIsNotTourism” (Dashuria nuk është turizëm) dhe “#LoveIsEssential” (Dashuria është thelbësore). Shpërndarja e tyre online synon të tërheqë vëmendjen e publikut, politikës ndërkombëtare dhe të mediave duke ndihmuar në ribashkimin e familjeve apo partnerëve.  

Lista e gjelbër e vendeve që lejohet të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian e ka përjashtuar Shqipërinë, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve me COVID-19, duke ndaluar kështu udhëtimet drejt vendeve të BE të shumë qytetarëve që nuk kanë leje qëndrimi, por që gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Shengen.

Të dhënat e Institutit të Statistikave për vitin 2019 tregojnë se Shqipëria ka një diasporë prej 1.641.354 personash, të cilët janë shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Bashkimi familjar mbetet një nga mënyrat kryesore të emigrimit jashtë vendit për Shqipërinë, por ndërsa procedurat mund të zgjasin në varësi të shtetit, Zona Shengen mbetet rruga e hapur e ritakimit të familjeve. 

Burimi: Euronews


TË NGJASHME