HomePolitikë

Debati mbi censusin në SHBA, Trump po konsideron urdhërin ekzekutiv rreth pyetjes mbi shtetësinë

Presidenti Donald Trump tha të premten se po “konsideron shumë seriozisht” mundësinë e një urdhri ekzekutiv në përpjekje për të detyruar përfshirjen e pyetjes mbi shtetësinë në censusin e vitit 2020.

Komentet ai i bëri përpara skadimit të afatit që gjykatat i patën vendosur administratës Trump për të sqaruar nëse do të përfshije ose jo pyetjen mbi shtetësinë në formularin e regjistrimit të popullsisë për vitin 2020. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se kjo është një nga katër ose pesë alternativat që ai po shqyrton.

Në fakt qeveria e ka filluar procesin e printimit të pyetësorit. Presidenti tha gjithashtu se zyrtarët mund të jenë në gjendje të bëjnë një shtesë në pyetësor, në një moment të mëvonshëm. Avokatët e qeverisë po punojnë të japin një arsyetim të besueshëm mbi hapat e mëtejshëm rreth pyetjes që ka shkaktuar shumë debat.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë argumentuan se kjo pyetje ishte e nevojshme për të ndihmuar zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtën e pakicave për të votuar.

Censusi është i rëndësishëm pasi përcakton numrin e vendeve për në Kongres për çdo shtet si dhe se si do të shpërndahen me qindra miliarda dollarë financime të qeverisë federale.


TË NGJASHME