HomePolitikë

Deklarata e fortë e Arta Dades: PS do marrë mandat të tretë, nëse opozita vazhdon kështu

Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë Arta Dade e ftuar në “News 24” tha se kryeministri Edi Rama ka dështuar totalisht në qeverisje dhe se nuk mund ta drejtojë më këtë vend.

Dade u shpreh se nën qeverisjen e Edi Ramës, skandalet ndjekin njëri – tjetrin, kurse shtoi se përkundër qëndrimeve të kryeministrit tonë, Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut dëshmoi se është një kryetar qeverie i përgjegjshëm përpara popullit të tij.

“Unë besoj se kryeministri Zoran Zaev ka treguar përgjegjësi para popullit. Zaevi u ul me Tsiprasin për të zgjidhur çështjen e emrit. Unë them se Rama ka dështuar dhe nuk mund ta drejtojë më këtë vend, sepse ka skandal pas skandali. Duhet bërë më shumë për reformën zgjedhore, sepse edhe zgjedhjet sipas ODIHR ishin larg një vendi demokratik. Duhet parë edhe çështja e ndryshimit të sistemit, sepse ky sistem ka degraduar.”, tha Dade.

Arta Dade theksoi se e ka dëgjuar më vëmendje ministrin e Jashtëm Gent Cakaj në konferencë për mediat, duke shtuar se nuk ka asnjë rëndësi nëse ai dhe Rama kanë bërë apo jo zotime, pasi janë përgjegjës për mos-hedhje të hapave të mëtejshëm të integrimit të vendit në BE.

“Kam ndjekur me vëmendje Ramën dhe Gent Cakajn, që tha se as kryeministri dhe as ai nuk kanë thënë se do japin dorëheqjen dhe se do të hapin negociatat. Këtu nuk ka të bëjë fare nëse je zotuar apo jo. Ka mendësi të deformuar. Negociatat do i hapë BVE, ne vetëm duhet të përmbushim detyrat. Ne po justifikohemi. Cakaj është njeriu përgjegjës sot për mos-hapje negociatash se ka qenë ministër . Në rast se realisht ka arritje, pse nuk ka bindur Francën”, deklaroi Dade.

Për Arta Daden, Shqipëria nuk ka përmbushur detyrat e shtëpisë, pasi nuk është vetëm Franca kundër Tiranës, por kundër janë edhe shtete si Danimarka, Holanda e madje edhe Finlanda.

“Kam kërkuar që Rama të japë dorëheqjen dhe PS i ka të gjitha kapacitetet, ose i ka pasur para 10 muajsh, që të vinte një kryeministër tjetër. Besoj që ka shumë, që jo vetëm i ka përzënë Rama, sepse ndjehej i kërcënuar prej tyre, që tani s’janë më në PS, por unë do parapëlqeja edhe ekspertë që mbështesin parimet e demokracisë dhe që nuk i mungojnë Shqipërisë. Është për të të ardhur keq që kjo kategori të largohen.

Është vrarë shpresa. Rama ka defektet e veta dhe ka gjynahet e tija që kultura e pandëshkueshmërisë vazhdoi edhe në këto gjashtë vite. Për fat të keq, Ramës i ka interesuar konfliktualiteti politik. Edhe opozitën e bëj me faj. Rama ndjehet i sigurt, ai mund të qeverisë me gjithë defektet e veta, si asnjëherë, pasi ka një opozitë që nuk e përfill. Mazhoranca duhet të ishte e shqetësuar që nuk ka opozitën në Parlament, sepse ato zonja që janë në Parlament, jo vetëm që nuk kanë qenë të përgatitura, por edhe nuk mund ta bëjnë këtë detyrë”, tha Dade.

Do shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?
Gjërat kanë degraduar, që nga momenti që i kam kërkuar Ramës të japë dorëheqjen, apo nga momenti kur kolegët e mi në parlament do doja të bënin një lëvizje në të mirë të demokracisë. Unë e kam kërkuar këtë gjë, duke parë që nuk është ndonjë sakrilegj që kryeministri të japë dorëheqjen, kur sheh që vendi po degradon. Dorëheqja nuk ndodhi dhe as mendoj që do të ndodhë. Kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më të thellojë reformat, është nga më të paaftat që ka pasur vendi. Nuk ka ministra, është vetëm një “one man show”, vendi po rrëshqet. Duhet reflektim.

Një taktikë e dështuar e Ramës për të bërë presion ndaj BE, kujtoj këtu qoftë edhe kur është shprehur që ne mund të kemi dhe alternativa të tjera, por këto dy ditë ka thënë se s’ka alternativë tjetër veç BE. Por, në fakt lojërat me Erdogan, me Shqipërinë e Madhe, lojëra që vajti në takimin me Vuçiç. Më vjen keq që kemi zbehur kartën rajonale, që ka qenë një nga më të fortat, dëgjoheshim seriozisht, madje na merrej edhe mendimi. Kjo nuk ndodh tani, po dalin aktorë të tjerë dhe ne, në mënyrë naive apo të qëllimshme ju japim një kartë vendeve si Serbia për të treguar një lloj lidershipi.

A ka PS sot dhe për cilat figura keni respekt?
Në planin njerëzor i dua dhe i respektoj kolegët e mi, me të cilët kemi ecur së bashku në situata edhe të vështira, në mënyrë të veçantë të opozitës së parë. Unë besoj se shumë aktorë të mazhorancës kanë shprehur, edhe lidhur me procesin e integrimit, kanë bërë gafa politike. Nuk mundet që deputetë të Parlamentit holandezë, t’iu drejtosh gishtin dhe t’iu thuash se shumë gjëra i kemi marrë nga ju. Ka një lloj papjekurie, edhe një lloj fantazimi, ku një forcë politike është në pushtet dhe frika se mos e humbet pushtetin. Kam pritur shumë nga mjaft kolegë, por jam e zhgënjyer. Edhe kur takohemi me mjaft shoqe, nuk ka një njeri që t’i thotë Ramës se kjo bëhet e kjo jo. Nuk ka asnjë gjë të keqe, nëse bëhet një grup dhe ia thotë. Nuk ka një PS në kuptimin e asaj që ne themeluam dhe që krijoi një përvojë pozitive të qeverisjes. Në ’97 ne morën mjaft vota, por qeverisëm me koalicion. Mandati i dytë i Ramës, që po qeveris vetëm, është më shumë me dështime.

A e keni takuar Edi Ramën apo të keni këmbyer SMS?
Nuk kam këmbyer mesazh, vetëm përmes ekranit. Nuk do të thotë se nuk e takoj. Kjo është përtej marrëdhënieve individuale. Unë me Ramën kam pas marrëdhënie institucionale, ja kam thënë kur ka gabuar. Nuk shpresoj që mund të kthejë kurs, Rama e ka kaluar çdo nivel të përfaqësimit të tij në politikë, ka gati 21 vite në politikë. Në një karrierë kaq të gjatë, pushteti ka dhe anë pozitive, por meqë jemi para një dështimi, jam kategorikisht kundër tregimit të gishtit. Fakti që Franca ka drejtuar procesin e Berlinit, do të thotë se mbetet e angazhuar.
Kush do të ishte një emër i denjë që mund të drejtonte vendin?

Ka shumë, intelektualë që flasim çdo ditë, që e duan këtë vend, që i mbështesim fuqishëm parimet e demokracisë dhe nuk i nëpërkëmbin ata. PS ka humbur identitetin. Rama ka devijuar nga programi dhe nuk mund të jetë lider i PS. Për mua një intelektual me vizion të qartë, që të punojë seriozisht, do ta zëvendësonte. Rama duhet të ikë, nuk do të ketë progres me të, vazhdon regresi, aq më pak me ministrat, si ky i Jashtëm, që nuk e merr njeri seriozisht. Rama e ka marrë për dore, ndaj është aty.

Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka kritikuar liderin e opozitës së bashkuar, Lulzim Basha, teksa ka thënë se nuk është i përgatitur për të ardhur në pushtet.

Duke u shprehur pro rrotacionit politik, Dade deklaroi se Basha nuk e ka pastruar figurën e tij nga akuzat, por edhe vijon të drejtohet nga figura që duhet të ishin vënë para drejtësisë.

“Patjetër që rotacioni i bën mirë demokracisë, por nuk shoh opozitë të përgatitur për të ardhur në pushtet. Nëse vazhdon kështu gjendja, me këtë opozitë, që ka nevojë të reformohet, pasi edhe lideri i opozitës nuk ka pastruar figurën e tij nga akuzat, ashtu siç vijon të drejtohet nga figura, që duhet të ishin vënë para drejtësisë. Për këtë, përgjegjësia është edhe e Ramës. Opozita duhet të merret me veten. PS do të marrë mandat të tretë, nëse vazhdon kështu”, tha Dade.


TË NGJASHME