HomeRajon

Deklarata e kryeministres serbe, reagime të zyrtarëve të…

Deklarata e kryeministres serbe, Ana Brnabiç, ditën e djeshme, se ‘shqiptarët janë njerëz të malit’, ka nxitur reagime të shumta si nga zyrtarët e Kosovës edhe nga zyrtarët e Serbisë.

Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviç, e cila ushtron edhe postin e ministres së Transportit, e ka konsideruar si të pakujdesshme deklaratën e shefes së saj, Ana Brnabiç, se ‘shqiptarët janë njerëz të malit’.

Ndër të tjera Mihajlovic thotë se ndodhitë e fundit në veri, tregojnë se është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje, jo vetëm për serbët, por edhe për shqiptarët.

“Nëse nuk arrihet një kompromis, atëherë alternativë mbeten konfliktet dhe grindjet, siç ka potencuar edhe presidenti ditë më parë në Kuvend, kur është diskutuar për Kosovën”, ka shtuar ajo.

 Ajo ka thënë se Serbia është e përkushtuar për stabilitet, negociata dhe kompromis, duke përmendur edhe kërkesën e Serbisë që Kosova të heq taksën për të vazhduar dialogun.

Nga ana tjetër edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministres të Serbisë, Ana Brnabiq.

Përmes një postimi në Twitter, ambsadori Heldt ka ironizuar me këtë deklaratë të Brnabiq duke shkruar se “Gjermanët janë adhurues të maleve. Shihemi në ecjen e radhës në pyll”

Ambsadori po ashtu ka përdorur edhe hashtagun #literallyjustemergedfromthewoods i cili është krijuar enkas për këtë rast.

Maja Kocijancic Zëdhënëse e Shefes së Diplomacisë së BE’së, e pyetur rreth qëndrimit të BE’së ndaj deklaratës së Bërnabiq për shqiptarët, thotë se çdo retorikë fyese është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese ndërmjet dy shteteve.

“Çdo retorikë që është fyese, konfrontuese dhe përçarëse bie në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese, për të cilën rajoni ka nevojë për të ecur përpara.

Siç theksoi Përfaqësuesja e Lartë dje, ngjarjet e ditëve të kaluara tregojnë qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili ka filluar para më shumë se tetë vjetësh, duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të jetë frytdhënëse, e qëndrueshme dhe afatgjate. Status-kuoja thjesht nuk është opsion”, thuhet në përgjigjjen e Kocijancic.

Maja Kocijancic

Normalisht nuk kanë munguar as deklarat nga krerët e institucioneve në Kosovë ndaj deklaratës së Brnabiç.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se kjo gjuhë është një tjetër dëshmi e sjelljes antievropiane të Serbisë.

“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme. Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndjehet i zhgënjyer me mosreagimin e BE-së.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur se “Nuk kam koment”.

Ndërsa, kosovarët kanë nxjerrë fotografi nëpër rrjete sociale nga malet.

Kësaj fushate i janë bashkuar edhe figura të tjera publike nga fusha të ndryshme. Madje nëpër rrjete po shpërndahen edhe fotografi të vajzave dhe djemve shqiptarë që janë të njohur ndërkombëtarisht si: Shën Tereza, Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Dua Lipa, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri…etj.


TË NGJASHME