HomeSociale

Deklarata e Manastirliut për koronavirusin: Kemi kapacitetet për çdo situatë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë raportimit në Komitetin e Sigurisë Kombëtare, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se janë parashikuar skenarët për çdo situatë, që nga rasti i parë potencial e deri në maksimumin e parashikimit.

Manastirliu siguroi për gatishmërinë e të gjitha strukturave shëndetësore, duke theksuar se strukturat në të gjitha nivelet kanë marrë masat paraprake bazuar në rekomandimet e OBSH.

“Në skenarët që ekspertët tanë kanë parashikuar, që me konfirmimin e rastit të parë, ne vëmë në dispozicion strukturat që fillojnë me spitalin Infektiv në QSUT, me një kapacitet 80 shtretërish dhe me një forcë të punonjësve të shëndetësisë, 109 punonjës, të cilët do të jenë të fokusuar për të trajtuar sipas protokolleve më të mira rastet e mundshme. Kemi përcaktuar bokset, dhomat e izolimit, është investuar në të gjitha linjat e oksigjenit në strukturën e Infektivit, për të bërë të mundur transformimin e këtij spitali, nëse do të kalonim në skenaret e tjerë, që do të ishin nga 0 në 100 si dhe 100 deri në 150 raste të prekura. Sigurisht, duke siguruar këtu të gjitha kapacitet dhe nevoja për ato raste të rënda, pasi dihet që 5% e rasteve që konfirmohen me koronavirus janë raste të cilat do të kenë nevojë për suport respirator”, tha Manastirliu

Ndërsa ka bërë nja apel për qytetarë që të jenë racionalë dhe të shmangin panikun, Manastirliu ka deklaruar se do të vijojnë komunikatën e përditshme me publikun.

Sipas saj, “Duke qenë se ky virus po prek të gjithë vendet probabiliteti është të prekë edhe Shqipërinë. Nuk jemi imun nga sëmundjet infektive. Survejanca aktive dhe sistemi alert e OBSH është shprehur se është e gatshme për të pritur rastet e koronavirusit. Përballja me këtë virus kërkon kohë, për përballjen, evidentimin. Ne jemi duke punuar në çdo moment. Do të vijojmë komunikatën e përditshme me publikun. Ka shumë nevojë të jemi racionalë për të shmangur panikun dhe për përgjegjësinë që qeveria ka”.

Përmes një postimi në “Facebook” Manastirliu ka përmendur deklaratën zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, ku konfirmohet se nuk ka raste me koronavirus në Shqipëri. Edhe nga 17 rastet e testuara në Institutin e Shëndetit Publik deri tani nuk ka rezultuar asnjë bartës i koronavirusit.

K.S/ GotaNews


TË NGJASHME