HomeLajmi i Fundit

Dënimi për Tahirin/ Një ditë pas ish ministrit, e ankimon edhe Prokuroria

Një ditë më parë, ish-ministri Saimir Tahiri, nëpërmjet avokatit të tij ankimoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që e shpalli atë të fajshëm për “Shpërdorim detyre” dhe e dënoi me 5 vite burg, të konvertuara me 3 vite shërbim prove.

Sot, Prokuroria e ka ankimuar vendimin e Gjykatës.

Ankimi i Tahirit u dorëzua në Gjykatën e Apelit gjatë ditës së djeshme, ndërsa për argumentimin e tij, avokati i ish-ministrit, Maksim Haxhia, shkruan se do ta bëjë pas zbardhjes së plotë të vendimit.

Dy ditë më parë, ankim ndaj vendimit ushtroi edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili ndodhet në arrati prej më shumë se një vit. Çela u dënua me 3 vite e 4 muaj burg për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë, ankim ndaj vendimit të Shkallës së Parë ka bërë edhe Prokuroria, pasi iu rrëzuan të tria akuzat e ngritura për ish-ministrin Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, ajo e “Trafikimit të lëndëve narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Në dispozitivin e vendimit, Gjykata argumentoi se akuzat e ngritura nga Prokuroria nuk provohen, tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Megjithatë, gjatë shqyrtimit të dosjes, treshja ka vlerësuar të ndryshojë cilësimin e veprës penale, duke gjetur fajtorë dy ish- zyrtarët për “Shpërdorim detyre”. “I pandehuri Saimir Tahiri, duke mbajtur kontakte të tilla të pashpjegueshme me Habilajt, si dhe mosmarrja e masave për kanalizimin dhe përfshirjen e Policisë në këtë fenomen, ka konsumuar veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës”, tha gjyqtari gjatë leximit të dispozitivit.