HomePolitikë

Deputetët e opozitës largohen nga Kuvendi, reagon ashpër Balla

Deputetët e opozitës në parlament janë larguar nga seanca e sotme plenare në shenjë proteste për mosplotësimin e kushteve të tyre për Reformën Zgjedhore.

Ka qenë Myslim Murrizi ai që kërkoi ndërprerjen e seancës plenare duke u mbështetur edhe nga deputetët e tjerë.

Sipas Murrizit nuk do të votohet asnjë marrëveshje pa pranuar kërkesën e hapjes së listave.

“Ne kemi kërkuar lista të hapura, kombëtare, dhe votim 100% pa asnjë ndryshim të rekomandimeve të OSBE. Kemi kërkuar të ketë prag zgjedhor, që askush mos hipë në kurriz të kërkujt. Të numërohen votat jo nga militantë, jo nga tre parti, po 74 të tjera pse duhet të kenë besim tek ju.

Nëse juve si mazhorancë keni hapur ankand, nëse I keni dhënë fjalën jashtë kësaj salle, që do i bëni 84 vota harrojeni. Shqiptarët iu kanë dhënë 74 mandate. Me trasta në dorë, me presione e joshje, i nderuar z.Balla nuk do i bëni. Nuk mund të privoni më 5 milionë shqiptarë, o do fusni lugën në supë me krimba, o në supë që mban erë prej vitesh”, ka thënë Murrizi.

Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla doli sërish në foltore pas largimit të opozitës parlamentare nga salla e Kuvendi.

Balla theksoi se mazhoranca nuk do bjerë pre e presioneve por do vijojë me negociata.

Ndërsa bëri me dije se PS i do listat e hapura, nga ana tjetër sqaroi se nuk mund të preket marrëveshja e 5 qershorit.

“Në emër të shumicës më lejoni të shpreh disa konsiderata, jemi kthyer si para 18 muajsh ku Saliu i pari, Luli e Monika largoheshin në mënyrë të shpeshtë nga Kuvendi për të kushtëzuar votën e tyre sa i përket reformës në drejtësi. Unë gjithmonë e kam mbështetur dhe falenderuar opozitën parlamentare se e ka mbështetur reformën.

Realisht nuk i kuptoj çfarë kërkojnë me këtë largim për aq kohë sa këta bëjnë presion duke ikur, Luli nga jashtë bën presion për të votuar marrëveshjen, Luli do takim jashtë, këta brenda. Mirë mo po kjo partia që përfaqësoj unë ka ndonjë të drejtë? Ju kërkoni lista të hapura ne ua kemi thënë që për ne s’janë tabu, mund të hapen por ka disa rregulla, norma, kushte bashkëshoqëruese, nëse ky sistem është sic është fleta e votimit bëhet me 100 faqe…Këto janë të ndërlidhura, ju vini kushte duke ikur, ata kushte duke bërtitur, ju kushte për të mos votuar një marrëveshje që bie dakord, që nuk është më e mira por kush mendon që na bën presion apo ju që ikët për marrëveshjen, apo për marrëveshje me ju ta harroni ne nga bojkoti nuk surprizohemi.

Do vijojmë komunikim te komisioni i Ligjeve për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme. Për mua kur bëhet fjalë për lista të hapura më e rëndësishme është barazia gjinore. Temat që s’prekin marrëveshjen e 5 qershorit jemi të gatshme t’i negociojmë. Thirrja ime është të riktheheni këtu, nuk i bëni nder askujt. E mirëkuptoj arsyen se po bëni presion se nuk e kalojmë dot marrëveshjen të vetëm, por ndaj po mundohemi të takojmë të gjitha palët, për ne nuk është tabu”,- tha Balla.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME