HomeSport

Derbi është i Realit, Los Blancos nisin shkëputjen

Sfida nisi me një minutë heshtje në nderim të legjendës amerikane të basketbollit Kobe Bryant, i cili humbi jetën këtë javë gjatë një aksidenti me helikopterin personal, ndërsa të pranishmit në stadium duartrokitën gjatë për të.

Pjesa e parë ishte shumë e luftuar nga të dy skuadrat, me Realin që u mundua të marrë kontrollin e lojës, por përveç disa momenteve të bukura të Iscos, rrallë arriti të shfaqet kërcënues para portës së Oblak.

Nga ana tjetër “Los Colchoneros” zbritën disa herë rrezikshëm me kundërsulme dhe krijuan 2-3 mundësi mjaft të mira me Correan, ndërsa në një moment pretenduan edhe për penallti me Torres, por kontakti nuk ishte mjaftueshëm bindës për arbitrin e takimit.

Pjesën e dytë Zidane e nisi me dy zëvendësime, duke hequr nga fusha Toni Kross e Isco, për të aktivizuar Vinicius e Lucas Vasquez dhe duket se gjithçka e kishte studiuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kjo pasi “Los Blancos” shtuan presionin dhe në një aksion të nisur nga këmbët e Vinicius, ishte Mendy që shërbeu saktë për Benzema në zonë, aty ku sulmuesi francez nuk mund të gabonte dhe dërgoi topin në rrjetë.

Deri në fund ishte sërish Reali që i shkoi më pranë golit të dytë, ndërsa përpjekjet e Atleticos ishin të pamjaftueshme për të shmangur humbjen, që rezultat që nuk e njihte prej 7 sezonesh në “Santiago Bernabeu”.

Me këtë fitore Reali ngjitet në kuotën e 49 pikëve, 6 më tepër se Barcelona dhe 13 më tepër se Atletico e Madridit, duke nxjerrë këta të fundit njëherë e mirë nga gara për titullin kampion.


TË NGJASHME