HomeSociale

Dervishaj: Policia vigjilente

Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj ka folur në News24 në rubrikën “Opinion” për sezonin turistik, mbarëvajtjen dhe numrin e turistëve.

Dervishaj tha se strukturat e kufirit dhe migracionit kanë punuar me kapacitet të plotë. Ai numëroi çdo javë rreth 200 mijë shtetas të huaj që hyjnë në vend.

“Strukturat tona të kufirit dhe migracionit kanë punuar me kapacitet të plotë që do të thotë kanë përforcuar pikat e kalimit dhe në mjaft raste, si në pikën e kalimit kufitar në Morinë të punojë me procedurë të përshpejtuar. Gjatë një periudhe një javore hyjnë rreth 200 mijë shtetas të huaj të territorin e Republikën e Shqipërisë. Në raport me vitin e kaluar ka një shtim të fluksit. Ne e ndiejmë këtë tek pikat e kalimit të kufirit. Janë marrë masat dhe për kalimin normal në rrugët e vendit. Është dhënë porosi e prerë, autobusët nuk do ndalohen, autobusët me turistë, përveç rasteve flagrante, që të mos iu krijojë bezdi. Policia është vigjilente”, u shpreh Dervishaj.

Ai tha se policia shqiptare ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh me vendet fqinje.

“Policia e Shtetit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kosovën, me Italinë, me departamentin e sigurisë publike, janë 6 punonjës të policisë italiane që do qëndrojnë deri në fund të gushtit. Me Maqedoninë kemi një protokoll bashkëpunimi. Me Malin e Zi kemi dërguar në Ulqin dhe Budva dhe me Kroacinë. Policia shqiptare është hapur drejt bashkëpunimit ndërkombëtar. Kemi rreth 10 ditë që policia shqiptare në bashkëpunim me institucionet e tjera po merret me një operacion për lirimin e hapësirave publike në plazhe”, tha Dervishaj.


TË NGJASHME