HomeLajmi i Fundit

Dëshmia e të “fortit” në gjykatë

“Më kanë bërë tri atentate, pistoletën e kisha për vetëmbrojtje”. Kështu është shprehur Elvis Gaçaj para Gjykatës së Durrësit, e cila e ka lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg” pa afat. Gaçaj do të jetë personi i parë që pritet të marrë dënimin prej 15 vite heqje lirie, me ndryshimin e ligjit për armëmbajtje pa leje.

Në sallën e gjyqit, ai është shprehur se armën e mbante për vetëmbrojtje, ndërkohë Konstandini ka theksuar se nuk kishte dijeni për armën. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua në rrugën “Taulantia” në momentin kur po udhëtonte me një automjet tip BMW, ku brenda ndodhej e dashura e 44-vjeçarit dhe shoku i tij, Konstandin Driza. E dashura e la e lirë, kurse Driza do të hetohet në “Detyrim paraqitjeje”.

Gaçaj nuk iu bind postbllokut të Policisë, ndërsa u arrit pas një ndjekjeje që nuk zgjati shumë. Gjatë kontrollit, Policia gjeti një armë zjarri pistoletë çeke me dy krehra me 26 fishekë kalibër 9 mm.

Gaçaj, i cili është person i njohur dhe për drejtësinë shqiptare, sipas Policisë kishte thyer masën e sigurisë “Arrest Shtëpie”, ndërsa Kostandin Driza është proceduar më parë në fushën e veprave penale kundër personit dhe armëmbajtje pa leje.

Elvis Gaçaj në prill të këtij viti u arrestua së bashku me Leonard Dukën në Tiranë i dyshuar për një seri veprash penale, ndërsa më herët u ka shpëtuar disa atentateve të organizuara ndaj tij. Në vitin 2015 ka qenë objektiv i një sulmi me armë te “Lulishte 1 maji” në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa objektivi u plagos, por mbijetoi.

Në atentatin te Lulishte “1 Maji” u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. 44-vjeçari Gaçaj, brenda viteve 2013- 2015, u ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, të kryera ndaj tij me eksploziv. Në ngjarjen e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë, ndërkohë që atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu.

Në vitin 1992, kur ishte adoleshent vrau me thikë shokun e tij. Për këtë ngjarje u dënua me 14 vjet burg. Vetëm pak muaj pasi kishte dalë nga burgu, në vitin 2008 Gaçaj përfundoi sërish në pranga.

Më 30 shtator të atij viti, Gaçaj, në atë kohë 32 vjeç, u arrestua si autor i dyshuar për plagosjen për motive të dobëta të shtetasit Sefer M. Sipas Policisë, Elvis Gaçaj pritet të jetë personi i parë, ndaj të cilit do të aplikohen ndryshimet e Kodit Penal, për armëmbajtje pa leje, të cilat hynë në fuqi më 8 tetor./panorama.al