HomeUdhëtime

Destinacionet e turizmit të “bardhë”

Turizmi malor duket se është shndërruar  në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve pavarësisht të disa kufizimeve si, infrastruktura rrugore, energjia elektrike apo dhe shërbimi i urgjencës. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror.

Dimri është një mundësi po aq bindës për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peisazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore. Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë janë:

Voskopoja– Ndodhet shumë afër qytetit të Korçës, mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit. Karakteristikë e vendit është ajri i pastër dhe uji i freskët dhe kurativ. Gjatë dimrit mund të praktikohet sporti i skive. Natyra e qetë dhe e bardhë është arsyeja kryesore që tërheq qindra shqiptarë për të kaluar pushimet dimërore. Për disa vite rresht vendi juglindor vazhdon të mbetet preferenca e shumë prej familjeve shqiptare të cilat zgjedhin të ftohtin dhe aventurat në borë për të kaluar festa ndryshe nga ato të zakonshmet, deri tek ato tradicionalet. Në Voskopojë ka disa hotele të cilësisë së lartë. Në skajin juglindor ka aventura nga më të ndryshme duke filluar nga skitë dhe deri te shëtitjet në malet e mbuluara krejtësisht nga dëbora.  “Kuzhina tradicionale e me ushqime  bio është një tjetër arsye që i nxit turistët të marrin sërish rrugën drejt Voskopojës. Gjatë dimrit në lokale gatimet më të preferuara mbeten ato tradicionalet si, mishi i pjekur, lakrori dhe turshitë. Pyjet, vendi i duhur edhe për të apasionuarit pas gjuetisë, janë një ndër arsyet që tërheqin turistët  vendas dhe të huaj.

Lugina e Valbonës – Ndodhet pranë qytetit të Bajram Currit është një destinacion shumë i vizituar. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare. Të bësh një udhëtim në dimër në Luginën e Valbonës, është një mrekulli shpirtërore përsa u përket emocioneve  që të ofrojnë peizazhet e saja. Në mbrëmjet e bujtinës, mitet e zonës do t’i kesh këmbëkryq pranë të zotit të shtëpisë. Ato janë të bukura dhe mbresëlënëse.

Parku Kombëtar i Thethit – Gjendet në Alpet Shqiptare, pranë Bjeshkëve të Namuna, 70 km nga Shkodra. Një monument natyror vërtetë interesant është ujëvara e Grunasit. Ujërat e saj zbresin nga një lartësi prej 30 metër, në zemrën e Alpeve shqiptare. Thethi ka pamjen e një pellgu 800 metra mbi nivelin e detit. Ai është i vendosur midis një kurore majash të thepisura si: Radohima, Maja e Arapit, Maja e Alisë, që spikatin për bukuritë e rralla në të gjithe Alpet. Thethi shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësinë e dendur, livadhet etj. Mjaft tërheqëse janë burimet e ujërave të Okolit. Këtu gjendet edhe “Kulla e ngujimit”, element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë  periudhës së gjakmarrjes strehohej gjakësi. Sot objekt i trashëgimisë kulturore shumë i vizituar nga turistët. Në Theth janë 10 banesa të përshtatura për turizëm, me dhoma me kushte normale, ku 6 janë tip hanesh, ndërsa katër janë banesa të zakonshme, tipike për zonën dhe  janë përshtatur për turizëm.  Kuzhina tradicionale e Thethit përbëhet nga “ferliku” (mish i pjekur), gatimi i troftës së përroit të Thethit, si dhe nënproduktet e qumështit (djathrat e ndryshëm, gjiza, kosi i freskët, etj).

Boga – Ndodhet  mes  maleve të Rugovës. Fshati i Bogës është një prej vendeve më të bukura në Kosovë për të shijuar borën. Boga të jep një ndjenjë më miqësore dhe pothuajse të gjitha objektet e kësaj qendre janë të vendosura në një vend të përbashkët.  Ajo gjithashtu ofron një shtrirje afër teleferikëve, të cilët gjenden afër shtëpive të bukura prej druri, për të kaluar një fundjavë të këndshme.  Në fshat ndodhet një pistë skish me parametra bashkëkohorë, ku mund të argëtohen edhe fillestarët në këtë lloj sporti. Këtu është bërë një punë e mirë për thithjen e turizmit dimëror nëpërmjet rrugëve të komunikimit dhe akomodimit.

Brezovica– Është një fshat piktoresk malor që ndodhet  në shpatet e famshme  të Brezovicës , një vendpushim  dhe pistë skish në 2,500 metra mbi nivelin e detit . Fshati turistik është i pozicionuar dhe i ekspozuar ndaj një peisazhi shumë të vecantë. Malet mbreslënëse të Sharrit dhe lumi i cili rrethon të gjithë hapësirën. Brezovica ofron një pistë skish të mirë për një sport profesionist.  Pa dyshim se do të bëhet një destinacion madhor në një të ardhme, por edhe sot paraqet një vend të shkëlqyer për të pasur aventura , që janë të lira dhe zbavitëse. Pushuesit do të gjejnë dhjetë teleferikë, që janë të lidhur me 16 kilometra pistë me një gjatësi mesatare prej 3,000 metra. Pistat janë të gjëra dhe të ndryshme në strukturë dhe  mund të zbaviteni me një çmim të arsyeshëm  Në Brezovicë gjenden  locale, restorante dhe hotele për akomodim.


TË NGJASHME