HomeLajme

Destinacioni i ri turistik, Ulza Eco Park

Ulza Eco Park, një destinacion i ri tërheqës, autentik, mikpritës dhe interesant i turizmit rural e atij gjithëvjetor i shtohet destinacioneve kombëtare të turizmit.

Një zonë ku ndërthuren bukuritë natyrore me trashëgiminë materiale shpirtërore, Ulza Eko Park krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e ekoturizmit, turizmit rural dhe eksplorues.

Në njësinë Administrative Ulëz u organizua një aktivitet i veçantë promovimi, që synon nxitjen e zhvillimit të turizmit qëndrueshëm, duke u ofruar turistëve shqiptarë dhe atyre të huaj një burim tjetër turistik.

Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu ndalet te resurset natyrore të kësaj zone, e cila sot po promovohet si destinacion i mirëfilltë turistik.

Sipas Prefektit Shehu, Ulza Eko Park përfshin një park me liqene dhe male, një rajon mjaft atraktiv turistik që shtrihet nga Shkopeti deri në Ulëz.

“Në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane, qeveria shqiptare ka investuar tashmë në infrastrukturën rrugore të qytezës së vogël së Ulzës, ku është drejt përfundimit segmenti prej 3 km, ndërsa pritet shtimi i investimeve në këtë zonë”, tha Prefekti Shehu.

Bashkia Mat, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Agjencinë për Zhvillimin e Rajonit 2 (AZHR2), Fondacionin CNVP (Bashkojmë Vlerat e Natyrës me Njerëzit) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizuan sot eventin hapës të ”Ulza Eco Park”, si destinacioni më i ri kombëtar i turizmit në Shqipëri/ata.gov.al


TË NGJASHME