HomeSociale

Deti i trazuar me dallgë rrezik për pushuesit/ Humbin jetën dy persona, shpëtohen 15 të tjerë, policia apel

Dy persona, një 33-vjeçar dhe një grua rreth 50-vjeçe, kanë humbur jetën, në Durrës, ditën e sotme, teksa po pushonin në plazh.

33-vjeçari humbi jetën pasi u rrëzua në ujë dhe u mbyt, ndërsa po bënte një xhiro me motor.

50-vjeçarja pasi u fut në det nuk u ndje mirë. Ajo u nxor jashtë nga pushuesit por ndërroi jetë në spital për shkak të probleme shëndetësore.

Ndërkohë, 15 pushues të tjerë, të huaj e shqiptarë, të cilët rrezikonin të mbyteshin, janë shpëtuar nga policia.

Kanë qenë tre ndërhyrje të ndryshme, ku e para u bë në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit ku u shpëtuan 5 shtetas nga Kosova dhe Shkodra.

Më pas, po në të njëjtin vend iu dha ndihma 9 turistëve çek. Ndërsa në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.

Ndërkohë që policia ka bërë apel për pushuesit që të tregohet kujdes maksimal, pasi deti i trazuar me dallgë mund të kërcënojë seriozisht jetën e tyre.


TË NGJASHME