HomeSociale

Dhuna ndaj punonjësve të IKMT-së e policisë, lirohet protestuesi/ Flet Balliu

“Kur politika hyn nga dera në gjykatë, drejtësia del nga dritarja. Shteti ka marrë fund!”. Kështu deklaron ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, teksa qëndron përkrah banorëve të Astirit tek Gjykata e Tiranës.

Kjo e fundit liroin shtetasin Shpetim Selimin, që u arrestua në lidhje me sulmin ndaj punonjësve të IKMT-së dhe policisë, duke e lënë atë në ‘arrest shtëpie’. Në një prononcim për mediat Balliu tha se banorët e Unazës së Re kërkojnë dialog.

“Pasi i arrestojnë i lënë në arrest shtëpie. S’ka më absurd! Kur duan t’i shembin shtëpinë, i lënë në arrest shtëpie. Dialog duan banorët e Unazës. Partia Demokratike ka kërkuar me qindra herë që qeveria të sjell një përfaqësues dhe të dialogojë me protestuesit. Duhet dialog. Se dimë pse qeveria kërkon përplasje me doemos sepse nuk pranojnë dialogun. Në disa media është raportuar se disa banorë kanë marrë një shpërblim. Po e marr të mirëqenë se me 8 veta qenka bërë dialog dhe se janë marrë shperblime. Po me pjesen tjeter?! Kur politika hyn nga dera në gjykatë, drejtësia del nga dritarja. Shteti ka marrë fund. Këtu ka krizë totale. Zgjidhja e këtij problemi nuk mund t’i jepet nëse nuk kthehet në pushtet sovrani”, tha Balliu.

Më 7 tetor një grup personash tek Astiri, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me gurë e sende të forta këta punonjës, të cilët ishin duke bërë njoftimin e bizneseve që preken nga projekti i rrugës. Për pasojë mbetën të plagosur 4 punonjës të IKMT-së dhe 1 punonjës i Policisë. Gjithashtu, gjatë sulmit me gurë e sende të forta ndaj punonjësve të IKMT-së dhe punonjësve të Policisë, u dëmtua edhe një automjet i Policisë, ndërkohë u proceduan 9 qytetarë, ndërsa njëri prej tyre, Shpetim Selimi u arrestua.


TË NGJASHME