HomeRajon

Dialogu Kosovë-Serbi, ndërmjet ndryshimeve politike dhe zgjedhjeve të reja

Ekzistojnë gjasa krejtësisht të pakta që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve të mund të vazhdojë së shpejti, qoftë për shkak të situatës aktuale në Kosovë dhe zgjedhjeve që pritet të mbahen në Serbi, qoftë për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fund të vitit të ardhshëm, është thënë të martën, në panelin e diskutimit të Forumit për Zhvillim dhe bashkëpunim shumëetnik, në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të partive politike dhe shoqërisë civile.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka vendosur taksën prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, për shkak të, siç ishte thënë atëherë, politikës destruktive të kësaj të fundit ndaj Kosovës .

Për këtë shkak, Serbia nuk ka pranuar më që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, ndërkaq që Kosova ka refuzuar të heqë taksën.

Një vit më vonë, dialogu ende nuk ka rifilluar. Në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe pritet që partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, të formojë qeverinë e re.

Ndërkohë, në krye të Bashkimit Evropian ka ardhur udhëheqja e re, ndërkaq që ndërmjetësuesen e deritashme në dialog, Federica Mogherinin, më 1 dhjetor e ka zëvendësuar spanjolli Josep Borell. Ndërkaq, vitin e ardhshëm, Serbinë e presin zgjedhjet parlamentare.

“A jemi në rrugën e duhur dhe si të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën dritën e vazhdimit potencial të dialogut dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës?”, ka qenë tema e panelit diskutues të mbajtur të martën në Prishtinë.

Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar që me gjithë përpjekjet për vazhdimin e dialogut, kjo nuk ka ndodhur. Sipas tij, tashmë pritet që të shihen se cilat janë prioritetet e udhëheqjes së re të BE-së. Ai ka theksuar se edhe zgjedhjet në Serbi, por edhe Shtetet në Bashkuara të Amerikës, do të jenë sfida.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga mbështetëset kryesore të procesit të dialogut. Presidenti Trump ka emëruar edhe të dërguarin e posaçëm për arritjen e marrëveshjes dhe tërheqja e vëmendjes së Uashingtonit për dialogun do të reflektojë edhe në vet procesin”.

“Por, kontesti është i tillë sa që nuk duket që mundësitë për vazhdimin e dialogut janë premtuese ose për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Në një pozitë të tillë do të gjendet edhe cilado Qeveri e re e Kosovës, por ajo që do të përshëndesja është se të gjitha partitë në Kosovë janë për vazhdimin e dialogut, por që diferencat ekzistojnë vetëm lidhur me modalitetet se si të arrihet deri te marrëveshja”, ka thënë Arifaj.

Branimir Stojanoviq nga Lista Serbe ka theksuar që ndërprerja e dialogut ka ndikuar që tensionet, që dikur ishin të pranishme ndërmjet dy palëve në zyrat e BE-së, tashmë të barten edhe në medie, por që gjithashtu, kjo ndërprerje e dialogut ka ndikuar edhe në një periudhë të jostabilitetit.

“Ajo që unë mendoj se është problemi më i madh sot, është fakti se nuk po zbatohen ato për të cilat është arritur pajtimi me Marrëveshjen e parë të Brukselit dhe principet e mëvonshme. Tema lidhur me taksat është fabrikuar si bombë e tymit, me të cilën ne tash po merremi dhe e cila ka krijuar kaos, gjithmonë me shpresën që dikush do të harrojë krejtësisht që marrëveshja ka ndodhur ndonjëherë dhe që disa njerëz në Prishtinë të harrojnë që kanë obligime që të zbatojnë diçka”, tha Stojanoviq.

Ai ka shtuar që për bashkësinë serbe, nga Marrëveshja e Brukselit, më e rëndësishmja është, para së gjithash, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për këtë situatë ai i fajësoi edhe ndërmjetësit në proces, gjegjësisht Bashkimin Evropian, duke shprehur shpresën që udhëheqja e re do të jetë më energjike në kuptimin e vënies së kushteve konkrete ndaj palëve për zbatimin e marrëveshjes.

Duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila synon që të jetë në krye të qeverisë së ardhshme, Stojanoviq ka thënë që politika “nuk mund të ndërtohet mbi urrejtjen, duke qenë kundër dikujt, por që duhet diçka të ofrohet”.

“Nuk do të mund të jepni asgjë në qoftë se vetëm krijoni konflikte dhe vetëm krijoni tensione. Ndërkaq, kjo është ajo që ne kemi parë nga ata që tashmë po planifikojnë që të jenë bartësit e ardhshëm të pushtetit”, ka theksuar Stojanoviq.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se ai në të ardhmen, në vend të presidentit Hashim Thaçi, do të jetë në krye të ekipit të Kosovës në dialogun me Serbinë dhe se do të angazhohet për dialog me principe. Siç pati theksuar ai, “vetëm pranimi i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, nga ana e Serbisë dhe ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, si dhe gatishmëria e Beogradit që të ballafaqohet me të kaluarën e vet, mund të vendos marrëdhënie normale ndërmjet dy vendeve tona, si dhe paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”.

Lulzim Peci, drejtor i Institutit të Kosovës për Hulumtime të Politikave dhe Zhvillimit, tha që dialogu mund të pritet të fillojë pas zgjedhjeve në Serbi, në qershorin e vitit të ardhshëm. Ai nuk e ka përjashtuar as mundësinë që të pritet për rezultatin e zgjedhjeve në SHBA. Sipas tij, për Kosovën është test i veçantë që të shihet se çfarë do të jetë Albin Kurti në krye të Qeverisë.

“Sa kuptoj unë, edhe Ministria e Punëve të Jashtme do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu që politika e jashtme do të jetë në duart e asaj partie. Megjithatë, problemi është që nuk e kam të qartë se çfarë politike të jashtme do të udhëheqë Kurti dhe po presim që të shohim programin e Qeverisë për këtë”, tha Peci.

Nga Forumi për zhvillim dhe bashkëpunim shumëetnik kanë theksuar që në komunat serbe në anën jugore të lumit Ibër, kanë bërë hulumtime lidhur me atë se sa është bashkësia serbe e përgatitur për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfundimet që kanë dalë thonë që serbët që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës nuk janë të informuar mjaftueshëm për rrjedhat e dialogut në Bruksel dhe që bashkësia serbe konsideron që bisedimet në Bruksel nuk janë transparente, si dhe që marrëveshjet e arritura nuk kanë zgjidhur asgjë, ndërkaq që problemet janë thelluar edhe mëshumë.

Qytetarët janë deklaruar edhe lidhur me çështjen e zgjidhjes përfundimtare, gjegjësisht, për atë se si e shohin një ndarje, përcaktim të kufijve , mbajtjes së status quo-së ose njohjes së ndërsjellë.

Rreth 34 për qind e të anketuarve nuk kanë pasur kurrfarë qëndrimi për këtë çështje, 28 për qind e tyre kanë shprehur mendimin që zgjidhja duhet të jetë status quo, për ndarje janë shprehur 11 për qind, ndërkaq 10 për qind e kanë mbështetur përcaktimin e kufirit.

Njohjen e ndërsjellë të pakusht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e kanë mbështetur vetëm 2 për qind e të anketuarve. /REL/


TË NGJASHME