HomeLajmi i Fundit

Disa orë ndjekje, si u kapën autorët e vjedhjes me armë në Dibër

Dy persona janë vënë në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pas një operacioni policor të koduar “Shumbati “.

Policia njofton se të arrestuarit akuzohen për vjedhjen me armë të një shume parash në një banesë në fshatin Grykë Nokë në Dibër, ndërkohë që dy personat e tjerë kanë mundur të arratisen duke marrë edhe paratë me vete.

“Pas disa orë ndjekje dhe mbajtje nën rrethim është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve M.M, 26 vjeç dhe D.M, 26 vjeç, banues në Kukës”- njofton policia.

Ndërkohë që shtetasi M.K, 25 vjeç, banues në Dibër, dhe F.H, 20 vjeç, banues në Kukës, kanë mundur të largohen duke marrë me vete edhe shumën e parave të vjedhura.

NJOFTIMI

Policia e Dibrës pas marrjes së informacionit se disa persona, nën kërcënimin e armës ishin futur në një banesë në fshatin Grykë Nokë dhe nën kërcënimin e armës kishin marrë një shumë parash, menjëherë ka shkuar në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve.

Autorët në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga policia kanë braktisur mjetin e tyre duke u fshehur në malin e fshatit Shumbat.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër në bashkëpunim dhe me agjentët e Hetimit të Krimit në DVP,kanë rrethuar autorët në një perimetër të gjerë dhe kanë vijur ndjekjen dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tyre.

Pas disa orë ndjekje dhe mbajtje nën rrethim është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve :

M.M, 26 vjeç dhe D.M, 26 vjeç, banues në Kukës.

Ndërsa shtetasi M.K, 25 vjeç, banues në Dibër, dhe F.H, 20 vjeç, banues në Kukës, kanë mundur të largohen duke marrë me vete edhe shumën e parave të vjedhura, të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në fshatin Grykë Nokë, Dibër, dyshohet se nën kërcënimin e një arme, kanë vjedhur në banesën e shtetasit I.H, shumën prej 300.000 lekë, dhe më pas janë larguar me një automjet tip ‘Opel’.

Vijon krehja e zonës për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe të gjetjes së armës që dyshohet se autorët e kanë hedhur porsa kanë parë që ndiqeshin nga policia.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti i përdorur nga autorët.

Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Dibër për veprën penale “Vjedhje me armë”, e kryer në bashkëpunim.